Gjykata Kushtetuese ka hequr termin “kombësi” nga ligji “Për Gjendjen Civile”.Përmes një votimi 6 me 2, trupa e gjyqtarëve vendosi ta cilësojë, në kundërshtim me Kushtetutën, nenet 6, 8, 42/2, 58 të ligjit “Për Gjendjen Civile”, që bien ndesh me nenet 19 dhe 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenet 9,14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Në këtë mënyrë, termi “kombësi” nuk do të shkruhet më në dokumentet e gjendjes civile, si certifikatë apo kartë identiteti apo pasaportë. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese rrëzon automatikisht vetëdeklarimin e kombësisë së shtetasve e, për pasojë, dhe përpjekjet për ndryshimin e saj, fenomen shumë i përhapur në qytetet Sarandë, Korçë, Përmet dhe Shkodër. Kërkesa për shpalljen antikushtetues të neneve të ligjit “Për Gjendjen Civile” erdhi fillimisht nga gjyqtari i rrethit Sarandë, Alltun Çela e më pas dhe gjyqtarë të Përmetit dhe të Shkodrës, nisur nga kërkesat e mëdha për ndryshimin e kombësisë të shtetasve shqiptarë, nga shqiptare në greke apo serbe.
Padia
Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari i rrethit të Sarandës, Alltun Çela, shprehet se kombësia nuk ka pse të deklarohet, siç pohohet në ligjin e Gjendjes Civile, pasi ajo merret si e mirëqenë. Por, ligji i dy viteve më parë e detyron personin që të bëjë deklarimin e kombësisë, si element përbërës i gjendjes së tij civile. Në kërkesën e tij, Çela pohon se, “po të rimarrim në vëmendje përcaktimet e nenit 20 të Kushtetutës, vëmë re se në paragrafin e parë të tij, personave që u përkasin pakicave kombëtare, u njihen e drejta e ushtrimit të të drejtave të tyre në barazi të plotë para ligjit, ashtu sikurse personave, kombësia e të cilëve përputhet me shtetësinë tyre”. Ai vazhdon duke përmendur ligjin nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për Gjendjen Civile”, ku “elementi ‘Kombësi'” është përcaktuar si element përbërës i gjendjes civile të një shtetasi shqiptar, duke detyruar në këtë mënyrë çdo shtetas që të deklarojë kombësinë e tij, e cila detyrimisht duhet të përfshihet si element përbërës i gjendjes së tij civile. Me këtë ligj janë vendosur edhe rregullat se si do të bëhet shënimi i këtij përbërësi”. Në nenin 6 të këtij ligji përcaktohet se “Përbërësit e gjendjes civile janë: emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, gjinia, shtetësia, raportet e atësisë e amësisë, gjendja civile, kombësia, vdekja, shpallja i/e zhdukur, vendbanimi, vendqëndrimi dhe fakte të tjera, të parashikuara me ligj”. Por, siç komenton Çela, “me vendosjen e këtij rregullimi, ligji nr. 10129, datë 11.05.2009 ‘Për gjendjen civile’, në kundërshtim me përcaktimin e një dispozite kushtetuese, ka vendosur detyrimin që kombësia si përkatësi etnike e një personi të evidentohet në regjistrat e gjendjes civile”. Përfaqësuesit e qeverisë, në seancën gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese, e cilësuan të padrejtë kërkesën e gjyqtarëve për shfuqizimin e termit “kombësi”. “Deklarimi i kombësisë për pakicat është vullnetar dhe krijon një tablo të qartë të identitetit kombëtar. Ligji rregullon ato padrejtësi që u janë bërë pakicave gjatë regjistrimit të kombësisë së prindërve, gabime në regjistrim apo dhe detyrime për ta shprehur kombësinë. Nga ana statistikore, deklarimi i kombësisë dhe i pakicave do të ndihmojë shtetin dhe qeverinë të përshtatë politikat e saj për këto komunitete me nevoja sociale”, u shprehën përfaqësuesit e qeverisë dhe Kuvendit.
Përplasjet në ligj
Neni 19
1. Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njërin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.
2. Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, përveçse kur ai heq dorë prej saj.
Neni 6 i ligjit “Për Gjendjen Civile”
1. Përbërësit e gjendjes civile janë: emri e mbiemri, numri i identitetit, datëlindja, vendlindja, gjinia, shtetësia, raportet e atësisë e amësisë, gjendja civile, kombësia, vdekja, shpallja i/e zhdukur, vendbanimi, vendqëndrimi dhe fakte të tjera, të parashikuara me ligj.
Padia
Kërkesa e kreut të Gjykatës së Sarandës mori shkas, sipas tij, nga padia e Vasillaq Kocalenit dhe Vjoleta Kocalenit, të lindur në vitin 1980 dhe 1979. Ata kanë paditur Gjendjen Civile të Sarandës në fillim të këtij muaji me objekt: “Deklarimin e pavlefshëm të lindjeve në lidhje me përbërësin e kombësisë së paditësve, duke kryer ndryshimin e përbërësit të kombësisë në regjistrat e palëve të paditura nga ‘shqiptare’ në ‘greke’, duke qenë se është bërë në kundërshtim me ligjin dhe duke qenë se është dëshira jonë”. Në këtë pikë, Çela kërkon zgjidhjen nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Alfred Moisiu
Ish-presidenti Alfred Mosiu e konsideron jo të mbështetur në ligj debatin për kombësinë, pas rasteve të shumta të verifikuara për ndërrimin e saj nga shqiptarë në grekë, veçanërisht në Jug të vendit. “Vërtet nuk shoh të përmendet fjala ‘kombësi’ në Kushtetutën tonë. Atje përmendet vetëm fjala ‘shtetësi’. Nga ka dalë ky formular? Si është hartuar ky formular? Cili e ngriti gjithë këtë zhurmë të drejtë?”, u shpreh Moisiu. Por debati merr shkas, sipas Moisiut, nga defektet qe ka ligji i Gjendjes Civile dhe më tepër nga formulari i regjistrimit të popullsisë.
Votimi per kombesine
Votimi në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e termit “kombësi”, në ligjin “Për Gjendjen Civile”, mori 6 vota pro heqjes së këtij termi dhe 2 vota kundër. Mungoi në këtë votim vota e një anëtari të Gjykatës prej 9 anëtarësh. Sokol Sadushi është larguar nga Gjykata pas zëvendësimit të tij nga Fatmir Hoxha, i cili u votua nga Parlamenti i Shqipërisë. Por Hoxha nuk mund të merrte pjesë në votim, pasi sipas rregullores së kësaj gjykate, ai nuk kishte marrë pjesë në shqyrtimin e saj, pasi ende nuk ishte votuar në kuvend si anëtari më i ri i kësaj gjykate.
Aleanca Kuq e Zi: Censusi u provua si antikushtetues
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar “Aleanca Kuq e Zi”, e cila ka theksuar se regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare është antikushtetues. “Gjykata Kushtetuese, sot, me një vendim historik, vendosi shfuqizimin e dispozitave që lejojnë ndryshimin dhe falsifikimin e kombësisë. Kjo është edhe një sfidë tjetër e fituar për Aleancën Kuq e Zi dhe tashmë nuk ka më asnjë shqiptar që nuk e kupton se regjistrimi mbi baza etnike dhe fetare është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e këtij vendi, por edhe me vullnetin e dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë, të cilët jo vetëm përmes firmosjes së peticionit të Aleancës Kuq e Zi, por në të gjitha mënyrat kanë shprehur kundërshtinë e tyre për këtë proces. Sot të gjithë shqiptarët e kuptojnë se prej më se një dekada Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligje jo vetëm antishqiptare, por edhe antikushtetuese dhe për faj të këtyre ligjeve, dhjetëra mijëra qytetarë kanë ndryshuar kombësinë në kundërshtim të hapur të Kushtetutës”, u shpreh dje në një prononcim për mediat përfaqësuesi i Aleancës Kuq e Zi, Endri Shabani. Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese legjitimoi nismën dhe aksionin e Aleancës Kuq e Zi dhe tregoi se beteja e saj nuk është vetëm kombëtare, por edhe Kushtetuese. “Por, gjithashtu, vendimi i Gjykatës Kushtetuese delegjitimoi edhe Kuvendin e Shqipërisë, i cili, për faqe të zezë ka votuar ligje antikombëtare dhe antikushtetuese” u shpreh Endrit Shabani nga Aleanca Kuq e Zi. Më pas ai vijoi duke thënë se “praktika gjyqësore europiane nuk e njeh ndryshimin e kombësisë, pasi fjala ‘nacionalitet’ vjen nga folja latine ‘natio’ = me lind, çka tregon qartë se kombësia fitohet vetëm nëpërmjet lindjes dhe në asnjë formë tjetër. E kombësia nuk zgjidhet, kombësia ndryshohet, kombësia nuk tjetërsohet, kombësia nuk shitet”, shtoi Shabani në fjalën e tij përpara Kuvendit të Shqipërisë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











