Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me rritjen e pagave të magjistratëve, duke u shprehur se janë 92 raste ku gjykatat kanë dhënë vendime ndaj atyre gjykatësve dhe prokurorëve të cilët i cilësoi si “llumi i pastruar nga vettingu”.
Sipas kreu të qeverisë, gjykatat i kanë trajtuar ata si viktima, duke u dhënë trajtim financiar me 12 milionë euro nga buxheti i shtetit.
“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!”, shkruan ai.
Rama shkruan se “radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92”, që sipas tij, do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër.
“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!
Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim!
Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër… Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”, shkruan Rama në “X”.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka shtyrë vendimin për rritjen e pagave të gjyqtarëve me argumentin se i nevojitet më tepër kohë. Nga ana tjetër, Shoqata e Gjyqtarëve dhe Unioni i Gjyqtarëve po bëjnë një betejë në gjykatë për çështjen e pagave.
Kryeministri Rama ka thënë se gjyqtarët duan t’i imponohen parlamentit e qeverisë për paga që shkojnë mbi vendet e BE. Ai ka kërkuar nga Kushtetuesja që të mos e pranojë “njollën e turpit” që do t’i kushtonte buxhetit të shtetit 37 milionë euro në vit.
© Panorama.al












