
TIRANË- Në përfundim të masës së parë të arrestit, Gjykata e Tiranës ka vendosur sot shtyrjen e qëndrimit të Gazmend Sallakut në burg edhe për 20 ditë të tjera. Masa e sigurisë është vendosur sot, kur prokuroria ka kërkuar sërish kohë për provat e nevojshme ndaj të akuzuarit për korrupsion, ish drejtor i stadiumit Gazmed Sallaku.
Fillimisht, Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë” për ish-drejtorin e stadiumit “Qemal Stafa”, Gazmend Sallaku, i akuzuar për korrupsion. Në një seancë ku nuk kanë munguar debatet mes prokurorisë dhe avokatit, gjykata u shpreh se do të urdhërojë mbajtjen në qeli të Gazmend Sallakut për 30 ditë, duke i dhënë organit të akuzës një muaj kohë për paraqitjen e provave të reja, kohe qe nuk ishte e mjaftueshme per prokurorine.
Ngjarja sipas prokurorit
Prokurori i Njësisë Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës, tha dje në gjykatë se në datën 11 gusht 2011, pranë sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar në Policinë e Shtetit, është paraqitur shtetasi P. Levendi, i cili ka bërë kallëzim penal ndaj Gazmend Sallakut, me detyrë drejtor i qendrës sportive dhe stadiumit “Qemal Stafa”. Në padinë e tij, shtetasi P. Levendi, që ushtron aktivitet në fushën e biznesit, ka pretenduar se ushtron aktivitet në një ambient prej 80 metrash katrorë te pallati i sportit “Asllan Rusi”, Tiranë. Kallëzuesi ka pretenduar se shtetasi Gazmend Sallaku, në cilësinë e drejtorit të stadiumit, i ka kërkuar rreth 3 milionë lekë për t’i dhënë lejen e shfrytëzimit për këtë ambient. Biznesmeni ka theksuar se kishte kryer disa investime dhe punime në këtë ambient, por Gazmend Sallaku po e kërcënonte me prishjen e investimeve me vlerë 20 mijë euro nëse nuk jepte shumën e ryshfetit. Nga ana e shërbimeve të policisë janë kryer veprimet hetimore dhe është përcjellë në prokurori materiali referues për veprën penale “korrupsion aktiv i kryer nga personat që ushtrojnë funksione publike”. Në datën 15 gusht 2011, pas informacioneve të marra për takimin mes kallëzuesit dhe shtetasit Gazmend Sallaku, janë marrë masat për përgjimin ambiental të vendit ku do të zhvillohej takimi. Më datën 15 gusht 2011, rreth drekës, shtetasi P. Levendi ka mbërritur në zyrën e shtetasit Gazmend Sallaku dhe ka biseduar me këtë të fundit për çështjen e shfrytëzimit të ambientit prej 80 metrash katrorë. Pas disa minutave, bazuar në përgjimin ambiental, është arritur të provohet se personi në hetim, Gazmend Sallaku, ka marrë një sasi prej 150 mijë lekësh nga biznesmeni. Në këtë kohë, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë për arrestimin në flagrancë të personit në hetim, i cili ka lëvizur nga zyra e tij dhe ka tentuar të largohet duke u dhënë urdhër punonjësve të pengojnë policinë dhe të mbyllin dyert. Shërbimet e policisë, nga ana e tyre, disa minuta më vonë kanë ndaluar shtetasin Gazmend Sallaku dhe pas kontrollit të ushtruar në zyrën e tij, në një vazo lulesh janë gjetur kartëmonedhat me vlerë 120 mijë lekë që ai kishte marrë nga biznesmeni.











