Gjuraj: SOS, si t’i shpëtojmë shkencat sociale në Shqipëri

Sep 21, 2011 | 10:14
Prof. asoc. Dr. Tonin Gjuraj, prorektor i Universitetit Europian të Tiranës

Prorektori i Universitetit Europian të Tiranës, Tonin Gjuraj, analizon situatën e shkencave sociale në universitetet shqiptare.Profesor Gjuraj kërkon ngritjen e një fondi kombëtar nga ana e qeverisë, që të shkojë ekskluzivisht për shkencat sociale.
Në tregun e arsimit të lartë vihet re një kërkesë konstante për degë si Ekonomiku dhe Juridiku, ndërsa Shkencat Sociale renditen ndër të fundit. A lidhet kjo kërkesë me një ofertë të keqorientuar nga universitetet apo thjesht çështje e tregut të punës?
Më lejoni të them që në fillim, se debati për vendin, rolin dhe rëndësinë e shkencave sociale, brenda tregut të arsimit të lartë, nuk është një debat që po zhvillohet vetëm në rrethet akademike shqiptare, por shumë më gjerë. Nuk mendoj se kjo lidhet me një ofertë të keqorientuar të universiteteve private, por po shfaqet e njëjta situatë, si kudo, duke pranuar tashmë se Shkencat Sociale aplikohen më pak se Ekonomiku dhe Juridiku. Programet që ofrojnë këta të fundit janë më shumë koniunkturale, më të kërkuara, më të preferuara, nisur kryesisht nga tregu i punës. Në rastin e shoqërisë shqiptare mendoj se ka një lloj ndikimi, përtej tregut të punës, edhe e kaluara e këtij vendi, mendësia tradicionale prindërore, ku historikisht njerëzit janë marrë kryesisht me tregti dhe preferojnë gjërat që lidhen me ekonominë, pasi profesioni i ekonomistit ka qenë dhe është më i mirëpaguar, output-et e tij (dhe të Juridikut) shiten, ndërkaq ato të Shkencave Sociale shiten shumë më pak ose aspak. Tjetër, shqiptarët kanë bërë një jetë në tërësi kolektiviste, ku shqetësimet, brengat i kanë ndarë dhe priren ende sot t’i ndajnë kryesisht me njëri–tjetrin, duke treguar indiferencë dhe ftohtësi ndaj psikologut, psikanalistit, sociologut. Kësisoj refuzojnë ose hezitojnë të këshillohen apo konsultohen me to. Pra, përzgjedhja midis këtyre profesioneve është edhe pak kulturore, gjë që prek edhe drejtimet akademike që ofrohen sot në universitete. Më tej, gjatë sundimit të regjimit komunist, shkencat sociale nuk janë stimuluar sa duhet, madje sociologjia konsiderohej “borgjeze”, kuotat për degët e “preferuara” në atë kohë fiksoheshin sipas planifikimit dhe kjo mbetej disi imponuese, si dhe mungonte liria e zgjedhjes. Raporti i ekonomisë me filozofinë, fjala vjen, ishte shpërpjesëtimor, shumë më tepër në favor të të parit. Megjithatë, nëse ka një trend rritjeje apo rënieje në vetvete të Shkencave Ssociale, kjo duhet studiuar, por në raport me Ekonomikun dhe Juridikun, për arsyet e mësipërme (dhe të tjera), pra të tregut të punës, të së kaluarës, impaktit kulturor, koniunkturës etj., ky disavantazh ekziston. Në një analizë të kohëve të fundit, profesori i Sociologjisë në Universitetin Europian të Tiranës, Fatos Tarifa, kërkonte nxitjen e një debati të hapur, në mënyrë që kandidatët për studentë në të tri nivelet e arsimit të lartë të kenë njohuritë e duhura për shkencat sociale në përgjithësi dhe për sociologjinë, si disiplinë në veçanti.
A mendoni se ka ardhur koha që universitetet private janë të afta të orientojnë kërkesat në tregun e arsimit?
Natyrisht që janë të aftë, por janë të interesuar fort që të bëjnë diçka të tillë (dhe po e bëjnë), pasi njohin shumë mirë vështirësitë me të cilat po përballen, deformimet strukturore të tregut, monopolin e universiteteve publike etj.
Megjithëse shkencat sociale mund të mos kenë peshë në tregun e madh të arsimit, a është e domosdoshme ekzistenca e tyre për funksionimin e demokracisë? Çfarë politikash mund të zbatohen në mënyrë që këto shkenca të qëndrojnë në periudhë afatgjatë?
Ndryshimet e mëdha të viteve ’90-të, rënia e perdes së hekurt, shpërthimi i konflikteve të dhunshme në Ballkan e më gjerë, çështjet e tranzicionit dhe konsolidimit demokratik kanë tërhequr, në fakt, vëmendjen e sociologëve, politologëve, antropologëve, kërkuesve dhe studiuesve të tjerë të shkencave sociale dhe ky ka qenë një rast i volitshëm për të njohur rëndësinë në vazhdimësi që ata kanë në jetën tonë intelektuale. Shkencat sociale në Shqipëri mund të fokusohen në studime për rajonin e Ballkanit, për shembull, si një rajon i margjinalizuar në të kaluarën, në punë kërkimore që mund të adresonin çështjen e tranzicionit në sferat ekonomike, politike dhe legale, në konfliktet dhe tensionet që shoqëruan ngritjen e shteteve të reja dhe çështjet e minoriteteve, kuptimin për popullsitë e rajonit të procesit të integrimit. Konceptet e territorit dhe kulturës, sovranitetit dhe shtetndërtimit, trashëgimisë dhe mjedisit, do ta pasuronin më tej punën e shkencëtarëve socialë, veçanërisht nëse do të përqendroheshim në tensionet që vijnë si pasojë, nga njëra anë e integrimit ekonomik dhe politik në rritje, kurse nga ana tjetër të fragmentimit të situatave lokale dhe individuale, tensionet midis lokales dhe globales, praktikat sociale dhe rikonfiguracionet lokale në Ballkan. Pra, shkurt të eksplorohen përmes vrojtimit dhe reflektimit ato procese që qeverisin sjelljen e individëve dhe grupeve që, siç thotë Sir Adam Roberts “së bashku me shkencat humane, të na ndihmojnë të kuptojmë veten tonë, shoqërinë dhe vendin tonë në botë”. Madje, vetë institucionet shtetërore, që të funksionojnë në mënyrë sa më eficiente, kanë nevojë për kontributin e sociologëve, politologëve, antropologëve, psikologëve.
Në këtë kontekst, edhe vlera e diplomës bëhet më e madhe?
Nuk mjafton të themi për shkencat sociale se të pajisin vetëm me njohuri dhe koncepte bazë për ciklin Bachelor, apo thellim, zgjerim dhe specializim për Masterin e Shkencave, apo më tej koncepte të aplikuara, të specializuara për Masterin Profesional. Duhet, përtej kësaj, të identifikojmë tipare të tjera të diplomave që lëshojmë, më konkrete, më tërheqëse. Departamentet pranë universiteteve duhet të jenë shumë të qarta, sa u takon tipareve që duhet të ketë diploma e dhënë, veçanërisht në të dy ciklet e para të studimit, në Bachelor dhe në Master (Profesional dhe i Shkencave). Diploma nuk mund të mbetet thjesht me fokus teorik, por duhet të tregojë qartë që ajo të derivojë drejt një diplome të mundshme profesionale, që t’i aftësojë studentët drejt një profesioni të thjeshtë (në Bachelor), përgatitja e drejtpërdrejtë për profesionin e rregulluar ose licencat, formimi nëpërmjet kurseve praktike, aplikative, laboratorëve, aftësive praktike aplikative në profesionet përkatëse dhe një përfshirje e plotë e kërkesave për profesionet e rregulluara (në Master Profesional) do të mund të aftësojnë studentët për zhvillim karriere dhe integrim në tregun e punës, kësisoj studentët nuk do të hezitojnë të zgjedhin një prej programeve të Shkencave Sociale. Këtu stazhi dhe/apo internship-i i zgjeruar, realizuar tek operatorët kryesorë të tregut të punës, përfshirja në shoqata profesionale dhe korporata profesionale, mbeten faktorë tërheqës për këto programe. Masteri i Shkencave duhet kuptuar si parapërgatitje për licencën (lista e profesioneve të rregulluara dhe këtu shteti duhet të ketë të përcaktuara jo vetëm profesionet, por edhe licencat). Po ashtu, diploma duhet të sigurojë aftësim të plotë për zhvillim karriere dhe vijim të mëtejshëm në doktoraturë. Edhe në këtë cikël internship-et me kompani e punëdhënës të mëdhenj janë të domosdoshme. Sa më sipër, kemi të bëjmë më përpjekje dhe vizione së brendshmi të institucioneve të arsimit të lartë, në funksion të gjallërimit të shkencave sociale dhe rritjes së interesit për to. Por, një rol vendimtar në ringritjen e këtyre shkencave luajnë, në gjykimin tim, politikat shtetërore për universitetet dhe kërkimin, veçanërisht për shkencat sociale dhe humane, të cilat nuk duhet të kërcënohen nga mungesa e fondeve. Një fond kombëtar vetëm për shkencat sociale do të përbënte, në këtë stad të zhvillimit të këtyre shkencave, një hap në drejtimin e duhur. Ky fond kombëtar nuk mund të shkojë drejt kuotave të harxhuara keq dhe pa nevojë, vetëm tek universitetet publike, pasi politikat e deritanishme nuk kanë sjellë diçka të re në këtë drejtim, përkundrazi, kanë deformuar tregun, madje kanë prishur traditën.
Cilat janë politikat ku duhet ndërhyrë sipas jush?
Më konkretisht, unë mendoj se duhen riparë politikat e kuotave që u “dhurohen” universiteteve publike në qendër e periferi, duke pranuar hapur dhe me sinqeritet se disa profesione priren të mësohen kënaqshëm në universitetet e metropolit, kurse universitetet e rretheve të vazhdojnë të mbështeten tek tradita e mirë që kanë pasur në disa programe të ofruara. Universiteti i Shkodrës, për shembull, është në gjendje të ofrojë programe cilësore në shkencat e edukimit dhe mësuesisë, por jo dhe aq në gazetari, apo Universiteti i Korçës në filozofi dhe më tej, ai i Vlorës në pedagogji speciale. Hapja pa fund e programeve të studimit kudo në rrethe, të paargumentuara dhe jo në funksion të zhvillimit rajonal, si dhe një shpërndarje kuotash pa studiuar strukturën e tregut, nuk bëjnë gjë tjetër veçse vështirësojnë edhe më tepër pozicionin e shkencave sociale. Ekziston, në fakt, një paradoks që pranohet vlera publike që disa programe kanë në rrethe, por impakti nuk është aspak domethënës. Duhet që fillimisht të vlerësojmë impaktin, që të mos prodhojmë të diplomuar “shpejt” dhe “masivisht”, por të diplomuar të gatshëm drejt një profesioni të caktuar. Ne duhet të jemi dyshues reflektivë për të mirën tonë dhe për të mirën publike e të shohim universitetin si rrugën tonë drejt punësimit, jo thjesht të marrjes së një grade apo titulli.

UET, tarifa promovuese e 100 bursa në Shkencat Sociale
Sipas prorektorit Tonin Gjuraj, Universiteti Europian i Tiranës ka ndërmarrë këtë vit akademik dy hapa të shpejtë për të “shëruar” gjendjen e shkencave sociale. “Së pari, tarifa më të ulëta për studentët që do të zgjedhin një program studimi në shkencat sociale; së dyti, rreth 100 bursa studimi për studentët që do të bëjnë këtë zgjedhje (natyrisht këto të bazuara në kritere të shpallura)”, shprehet Gjuraj. Por hapa të tjerë të rëndësishëm kanë të bëjnë me reformën në programe dhe planet mësimore. “Këtu jemi përpjekur të përfshijmë lëndë, jo thjesht të formimit/mendimit teorik dhe social, por të atilla që të mësojnë studentët, të përpunojnë metodologji dhe modele për punë shkencore, brenda ose jashtë UET-it, që pastaj këta studentë të diplomuar të kërkohen nga ekipe kërkimi për platforma studimesh, përpunim pyetësorësh, modele statistikore, si dhe të bëjnë këshillime teknike e shkencore për operatorë jashtë UET-it. Pra, kemi konceptuar plane mësimore të argumentuara, që të shkojmë në drejtimin e duhur”, shpjegon prorektori i UET. Gjuraj sqaron se po ashtu UET po krijon bordet e tregut të punës, ku janë identifikuar 100–150 punëdhënësit më të mëdhenj dhe më të rëndësishmit, për të tria fakultetet, kryesisht në kryeqytet, për studentët e ciklit të parë dhe të dytë të studimeve.

© Panorama.al

Te lidhura