Gjuha e BE, opozita dhe maxhoranca

Jan 11, 2012 | 10:45

AGIM BAÇI

Pa dyshim që qëndrimi i institucioneve europiane për atë që ndodh në Shqipëri do të jetë i rëndësishëm për jetën politike, por edhe për atë që duhet të ndryshojë në sjelljen qytetare me politikën. Aq më shumë kur bëhet fjalë për një qëndrim europian që lidhet me dëshirat e shumë shqiptarëve, politika duhet të dëgjojë e para edhe për faktin se vendimmarrja është atribut i drejtpërdrejtë i votës së saj apo i institucioneve që zgjidhen nga politika. Mirëpo BE nuk foli këtë të diel për herë të parë përmes ambasadorit të radhës së vendit që mban Presidencën, siç është në këtë rast ambasadori danez. Gjatë gjithë kësaj kohe BE ka folur herë troç e herë me nënkuptime, herë me inkurajim e herë më kërcënime. Madje gjatë dy viteve të fundit, thirrjet e BE-së kanë qenë alarmante lidhur me mosfunksionimin normal të Kuvendit për shkak të bojkotit të opozitës dhe mungesës së dialogut në vend, përfshi këtu edhe pikat më të rëndësishme për integrimin. Mirëpo këtyre thirrjeve opozita iu përgjigj me mospërfillje për rreth dy vite, duke injoruar zërin e ndërkombëtarëve, ndërkohë që vetë kreu i opozitës, që së fundi përshëndeti “gjuhën troç të BE-së”, i kishte injoruar troç për muaj e muaj me radhë.
Madje, edhe në rastin e përshëndetjes së intervistës së ambasadorit danez, Rama ka vijuar ta konsiderojë sukses bojkotin. “Por, pa asnjë fije dyshimi, po të mos kishim rezistuar siç rezistuam, po të mos kishim bojkotuar Parlamentin e zgjedhjeve të vjedhura, po të mos kishim përdorur çdo mjet demokratik që patëm në dispozicion, pavarësisht dukjes “joeuropianiste” të aksionit tonë politik në ndonjë moment apo kritikave rëndom cinike ndaj nesh, Shqipëria sot s’do të kishte më asnjë shans për të shpëtuar së shpejti nga diktatura e faktit të kryer”, shkruan Rama (Gazeta “Panorama”, 08.01.2012) në reagimin e tij pas intervistës së ambasadorit danez, duke ndërtuar kështu në sytë e publikut një standard të çuditshëm, sikur BE flet hapur dhe për të vërtetën vetëm nëse kritikon maxhorancën, por jo qëndrimet e tij bojkotuese.
Afërmendsh që qeveria ka gjithnjë vend për t’u kritikuar. Politikisht, Edi Rama, përmes qëndrimit të tij bojkotues, ia arriti për një kohë jo të vogël të frenojë mundësitë reale që kishin shqiptarët për integrim në BE. Maxhoranca e vetme e kishte të pamundur të votonte ligjet e duhura. Megjithatë, kjo mungesë nuk e shfajëson maxhorancën nga përgjegjësitë lidhur, sidomos me shërbimet ndaj qytetarit dhe në krijimin e sa më shumë mundësive për punësim.
Gjithsesi, opozita pati meritën e një politizimi të skajshëm, duke i rreshtuar qytetarët në fronte politike, duke ndikuar edhe në një politizim të hapur të marrëdhënieve mes qytetarëve dhe institucioneve. E gjitha kjo strategji nuk është aspak demokratike, e aq më pak e vendeve nga vjen ambasadori danez, që foli për një nivel të ri marrëdhëniesh mes qytetarit dhe atyre që duhet të zgjidhen. Ndërkohë, ky qëndrim, i mbështetur në bojkot dhe refuzim debatesh, jo vetëm që i privoi qytetarët nga një hap më tej në integrim, por po krijon gjithnjë e më shumë një pasiguri për modelin që do të zgjedhë vetë opozita për komunikimin me qytetarët kur të vijë në pushtet.
Natyrisht, nuk do të jetë aspak komode që opozita të humbë rastin për të propozuar Presidentin. Por modeli i debatit të hapur e ka lënë Ramën në një pozicion inferior për shkak të megalomanisë së tij politike kur firmosi ndryshimet kushtetuese. I shtrirë në ëndrrat me karrige Kryeministri ai harroi koston e veprimeve të tij, të cilat më pas, i penduar, deshi t’i ndëshkonte shqiptarët duke mos marrë pjesë në asnjë tryezë politike, a thua se bëhet fjalë për një lojë individuale, e jo për fatin e qytetarëve.
Tashmë, i kthyer ne karrigen e debatit politik, Rama bën shumë mirë që përshëndet gjuhën troç të BE-së, por pikësëpari duhej të linte të kuptohej se e shkuara e tij me deklaratat e mëparshme të ndërkombëtarëve ka qenë e gabuar dhe e dëmshme për atë që ka përçuar te shqiptarët dhe për shqiptarët.
Ndërkaq, thirrja e ambasadorit danez lidhur me funksionimin e demokracisë, e sidomos me përgjegjësinë e të zgjedhurve ndaj zgjedhësve, duhet të jetë një debat i pareshtur brenda forcave politike, e sidomos brenda maxhorancës që është votuar për të drejtuar dhe për t’u dhënë zgjidhje kërkesave të qytetarëve, pavarësisht tekave që opozita i ofron në jetën e përditshme politike.

© Panorama.al

Te lidhura