Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj, e akuzoi dje këtë institucion se po deformon rezultatin e zgjedhjeve të 8 majit. “KQZ po vazhdon të thellohet në vendimet e kundërligjshme. Po vijon shtimi i numrave në favor të Lulzim Bashës me një procedurë joligjore”, u shpreh Gjonçaj. Sipas tij, KQZ nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, pasi Kodi Zgjedhor thotë se institucioni duhet t’i përmbahet numërimit të KZAZ-ve. “KQZ në këtë fazë nuk mund të ndryshojë në tavolinë numrat dhe tabelat e numëruara nga grupet e numërimit. Procedura që po përdoret është një normë e re juridike që po dhunon Kodin Zgjedhor në përfundim të procesit të numërimit, nga i cili pushteti nuk është i kënaqur”, u shpreh Gjonçaj. Sipas tij, përfaqësuesve të opozitës u mungon akti juridik i KQZ-së, duke marrë kompetenca që ligji ua jep vetëm KZAZ-ve.
Braçe: Berisha gënjen qytetarët
Nënkryetari i Grupit Parlamentar socialist, Erion Braçe, në një reagim pas deklaratës së kryeministrit Berisha, tha se ai i gënjen qytetarët. Sipas tij, Kryeministri gënjeu kur tha se nuk ka nen në Kodin Zgjedhor që i konsideron fletët e votimit të pavlefshme. “Gënjen. Neni 118 thotë: Vlerësimi i votave fillon menjëherë pas numërimit. Hapet çdo fletë, bëhet vlerësimi me zë të lartë. Gjithashtu, neni në fjalë verifikon: Pika A – nëse fleta ka të njëjtën madhësi dhe ngjyrë, në rast të kundërt cilësohet e pavlefshme. Ajo që KQZ po bën në kundërshtim me këtë nen është vepër penale, për të cilën Ristani dhe 3 të tjerë janë kallëzuar penalisht dhe do të mbajnë përgjegjësi penale”, u shpreh Braçe.











