
Një ish-efektiv i Policisë së Tiranës është arrestuar dje gabimisht në zbatim të urdhër-arrestit të lëshuar ndaj tij nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, më 26 maj 2011. Ish-polici Erlis Bashaj, i akuzuar si pjesëmarrës në gjobëvënien ndaj regjisorit Leonard Bombaj, ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Apelit në muajin maj, por në korrik, tre muaj më vonë, Gjykata e Lartë caktoi ndaj tij masën e sigurisë detyrim paraqitjeje. Në zbatim të kësaj mase, i pandehuri duhet të paraqitet një herë në javë në Policinë Gjyqësore të Krimeve të Rënda, por nuk duhej arrestuar. Në komunikatën e djeshme të Policisë së kryeqytetit, thuhet ndërkohë se është arrestuar shtetasi Erlis Qazim Bashaj, 23 vjeç, banues në Tiranë. “Kapja e tij u bë në orën ora 15:00, në rrugën “Çamëria”, nga patrulla e përgjithshme e Komisariatit Nr.3″, thotë Policia në njoftimin e saj. Sipas Policisë, ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi me vendim të datës 26.05.2011, të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”. Shtetasi Erlis Bashaj, ish-efektiv i Komisariatit Nr.2 të Policisë së Tiranës, është i pandehuri i dytë në dosjen penale me pesë të akuzuar, për gjobëvënien ndaj regjisorit Leonard Bombaj. Më datë 20 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi dosjen në Gjykatë, ndërsa sqaronte se shtetasi Erlis Bashaj është person i hetuar në masën e sigurisë detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore. Prokuroria citonte masën e sigurisë të vendosur nga Gjykata e Lartë në korrik, kur Kolegji Penal anuloi urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata e Apelit dhe vendosi masën detyrim paraqitjeje për Erlis Bashën. Arrestimi i tij ditën e djeshme nga policia e Tiranës duhet të ketë ndodhur për shkak se policia nuk ka qenë e informuar për vendimin e Gjykatës së Lartë, dhënë në korrik 2011, me të cilin hiqej urdhër-kërkimi për Erlis Bashën dhe të akuzuarit e tjerë të kësaj çështjeje. Arkimed Lusha, i njohur me emrin artistik Stresi, Erlis Bashaj, Relado Kurti, Sevastjan Kallabaku, Ajsela Xh, akuzohen se në bashkëpunim mes tyre i kanë kërkuar një shumë financiare Leonard Bombajt, duke e akuzuar për përdhunimin e një të miture në akademinë e tij artistike.











