Gjirokastër, shefi i ri i policisë takohet me efektivët

May 27, 2011 | 12:44

GJIROKASTËR- Shefi i ri i Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, Neritan Islamukaj  është prezantuar sot para efektivave. Ka qenë një urdhër i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, i cili bënte të ditur emërimin në detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Gjirokastër të k/komisar Neritan Islamukaj.

Deri tani Nertian Islamukaj, mbante detyrën e specialistit për Menaxhimin e Personelit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkaq ish shefi i Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës i cili u zëvendësua nga Islamukaj, k/komisar Hasan Hasanaj, është liruar nga detyra njëkohësisht edhe nga radhët e Policisë së Shtetit me kërkesën e tij për arsye familjare. Duhet theksuar se në 2 vjet qëndrimi të Hasanajt në krye të Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, rezultatet në luftën ndaj krimit të organizuar dhe bimëve narkotike, njohën nivele shumë të mira. Hasanaj, është vlerësuar për menaxhimin me efikasitet të punës në Policinë e Gjirokastrës, si dhe rritjen e forcës goditëse ndaj krimeve të gjithfarëllojshme.

Prezantimi i shefit të ri të Komisariatit të Gjirokastrës, është kryer nga drejtori i Policisë së Qarkut, drejtues i parë Emri Vata. Ky i fundit ka vlerësuar punën e ish shefit të Komisariatit Hasan Hasanaj, si dhe ka kërkuar bashkëpunim dhe më shumë angazhim nga stukturat e drejtorisë dhe komisariatit për të mbështetur shefin e ri të komisariatit me qëllim sic tha ai, realizimin sa më mirë të objektivave të policisë rajonale.

Shefi i ri i Komisariatit të Policisë Gjirokastër Neritan Islamukaj, ka premtuar bashkëpunim dhe angazhim të forcave policore në shërbim të komunitetit.

Piro Nase

© Panorama.al

Te lidhura