GJIROKASTER – Partia Socialiste rimerr njësitë vendore në Gjirokastër pas katër vitesh. Njësia e parë që hapi rrugën e fitores së koalicionit të majtë në Jug të vendit ishte Tepelena, ku kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Tërmet Peçi fitoi mbi 1700 vota kundrejt kandidatit të LZHK-së, Reshat Zika, me 1130 vota dhe në vend të tretë u pozicionua kryebashkiaku aktual, Sevo Mici, i PD-së, me vetëm 750 vota. Pakkush besonte në fitoren e Partisë Socialiste në Tepelenë, pasi eksperienca e mëparshme zgjedhore e 2007-s tregoi se përçarja mes të majtëve solli të djathtët në fuqi jo për meritë të këtyre të fundit. I dyti që u certifikua si fitues në zgjedhje në qarkun e Gjirokastrës, ishte Gilberto Jaçe i PS-së në Bashkinë e Përmetit, ku arriti të mposhtte kandidatin e propozuar nga LSI dhe i mbështetur nga PD në këto zgjedhje, Kujtim Hoxha. Jaçe ka marrë rreth 300 vota më tepër se rivali i tij i LSI-së. Në të dyja bashkitë, Tepelenë e Përmet, numërimi i votave ka nisur më herët se në Gjirokastër, çka u konkludua me numërimin total të qendrave të votimit. Ndërkaq, në bashkinë e Gjirokastrës u deshën plot 12 orë të mësohej emri i fituesit, i cili do të drejtojë për katër vitet e ardhshme këtë njësi vendore. Në fillim, epërsia e kandidatit të PS-së prej tetë vitesh kryebashkiak i qytetit të gurtë, Flamur Bime, ishte e paktë, deri në 120 vota, ndërsa nga kutia në kuti bilanci rritej. Epërsia e Bimes është dukur kur duheshin edhe 15 kuti, nga 27 të tilla që ka komplet bashkia e Gjirokastrës. Në çdo qendër votimi kandidati socialist kishte një diferencë nga 140 deri në 300 vota me kandidatin e LSI, mbështetur nga PD, Genci Sinojmeri. Të dy kandidatët që garonin si dhe dy kandidatët e tjerë, ai i LZHK-së, Marenglen Koçiu, dhe e pavarura Vjollca Cekani, qëndronin të ulur në shkallët e Pallatit të Sportit të qytetit për të mësuar ecurinë e rezultateve nga kutitë e votimit. Në orët e vona të pasdites, kur tendenca rritej në favor të kandidatit socialist, u pa një rrudhje e mbështetësve të PD dhe LSI në shkallaret e Pallatit të Sportit të Gjirokastrës. Në kutinë e fundit, e cila i përkiste një lagjeje bastion i PS, u mësua edhe rezultati final, ku Bime mori gjithsej 56.3% të votave, kundrejt 40.7% të kandidatit të LSI. Sapo është mësuar rezultati final, jashtë Pallatit të Sportit, një grumbull i konsiderueshëm mbështetësish të PS dhe Bimes, festonin duke hedhur fishekzjarrë dhe duke kënduar këngë patriotike. Ishte pothuajse e njëjta skenë si katër vjet më parë, kur Bime, për të dytën herë radhazi, fitoi ndaj rivalit të PD, Adrian Kokalari, me 1300 vota diferencë. Në raport me zgjedhjet e 2007-s, Bime ka fituar 200 vota më tepër, ndërsa në raport me kandidatin demokrat të para katër viteve, kandidati i LSI për Bashkinë e Gjirokastrës, Genci Sinojmeri, mori 147 vota më tepër.
Ndërkaq, fitorja e PS është shtrirë edhe në bashkinë e Memaliajt, ku Lulzim Meci i PS-së, ka fituar me 240 vota diferencë kundrejt kandidates së PD-së, Hatixhe Qendraj. Këtë bashki demokratët e udhëhiqnin prej katër viteve përmes Pëllumb Bodecit. Mësohet se nga kutitë e para të hapura në bashkinë e Këlcyrës, kandidati i PD-së, Vasil Carka, kryeson me një diferencë të ngushtë votash me kundërshtarin socialist. Po kështu mësohet se në komunën Qendër Tepelenë, kandidati i PS-së po fiton thellë ndaj atij aktual që përfaqëson PD-në, i cili e drejton këtë komunë prej katër vitesh. p.n
Libohova
Mbetet për t’u mësuar bashkia e fundit në qarkun e Gjirokastrës, ajo e Libohovës, ku konkurron për një mandat të dytë katërvjeçar Altin Çomo i PD-së dhe Bajram Avduli i PS-së. Çomo, kryetar i Bashkisë së Libohovës, njëkohësisht edhe kryetar i PD-së së rrethit Gjirokastër, ka shanse të rifitojë një mandat të dytë, ndërkaq që ndodhen në proces numërimi komunat e Dropullit të Sipërm e të Poshtëm.











