Gjika i PS korr fitoren më të thellë, 5 mijë vota më shumë

May 11, 2011 | 10:16

Shpëtim Gjika, kandidati i “Aleanca për të ardhmen”, merr mandatin e tretë si kryetar i Bashkisë së Vlorës.Gjithashtu, PS-ja fitoi edhe Bashkinë e Orikumit, pasi përfaqësuesi i koalicionit të LSI-së, humbi me një diferencë të vogël votash.  Dje pasdite përfundoi procesi i numërimit për Bashkinë e Vlorës duke nxjerrë fitues kreun aktual të saj me 5020 vota më shumë. Gjika arriti të marrë 23386 vota, ndërsa kandidati i PD-së, Ardian Kollozi, arriti të siguronte 18366 vota. Për të pritur rezultatin e votave brenda ambienteve të Pallatit të Sportit, ku po bëhej numërimi, ishin mbledhur shumë përkrahës, por edhe vetë Gjika i shoqëruar nga bashkëshortja, vajza dhe miq të afërt të tij. Ata e pritën rezultatin në mes duartrokitjesh, urimesh dhe fishekzjarrësh. “Fitoren ia dedikoj bashkëpunëtorëve të mi, qytetarëve të Vlorës, si dhe punës së bërë ndër vite nga Bashkia e Vlorës. U tregua se Vlora e ka ndarë mendjen qe është e “vetmja rrugë”, për një qytet europian”, u shpreh kryebashkiaku Gjika. Ai theksoi se do të vijojë punën për një sezon turistik të suksesshëm, ndërsa vuri në dukje faktin se kishte qenë i sigurt në fitore, pasi kishte punuar për qytetin e Vlorës. Pas shpalljes fitues të Gjikës, qyteti është mbushur me simpatizantë të tij, të cilët kanë festuar, por pa shkaktuar asnjë incident. Ajo që është vënë re në këto zgjedhje, është se kandidatët kanë marrë bastione të njëra-tjetrës, por më e theksuar ka qenë humbja e bastioneve të djathta. Kështu, disa nga qendrat, apo lagjet që janë mbajtur si bastione të PD-së për disa vite me radhë, në zgjedhjet lokale apo qendrore, në këto zgjedhje janë fituar nga kandidati i Partisë Socialiste, Shpëtim Gjika. Këtu përmenden lagjja “Partizani”, “Zona e pyjores”, si dhe lagjja “Pavarësia”. Në këto lagje të mbajtura prej vitesh si bastione të së djathtës, në zgjedhjet lokale të 2011-s u fituan nga PS-ja, me një rezultat të ngushtë. Gjithashtu, disa nga bastionet e mbajtura si të PS-së për disa vitesh, si në lagjen “Centrale” dhe “Kume”, janë fituar po me rezultat të ngushtë nga ana e PD-së. Në përfundim të rezultatit, nuk ka pasur reagim nga kandidati që humbi këto zgjedhje, Ardian Kollozi. Ai hoqi dorë nga mandati i deputetit për të fituar Bashkinë e Vlorës. Gjithsesi, ndryshe nga Gjika, i cili e priti deri në fund procesin e numërimit, në dy orët e fundit të numërimit, ku nuk pritej më asnjë përmbysje rezultati, Kollozi është larguar nga salla e madhe e Pallatit të Sportit, i sigurt në humbjen e tij.
Procesi i numërimit dje ka përfunduar vetëm me një incident, ku Kollozi u konfliktua me disa persona, të cilët ishin të paautorizuar për të kryer disa veprime pranë KZAZ-së. Në orën 03:30, në qendrën e numërimit u ndërpre energjia elektrike. Në këtë kohë, disa persona ndërhynë për të vendosur ndriçues, por Kollozi u ka kërkuar të largohen nga qendra e numërimit, sepse ishin persona të paautorizuar për të bërë këtë veprim. Ai akuzoi se njëri prej tyre ishte punonjës i Policisë Bashkiake. Situata më pas degjeneroi në fyerje dhe sharje të ndërsjella dhe është dashur ndërhyrja e policisë për të normalizuar gjendjen. Pas 20 minutash, energjia u rregullua dhe numërimi vijoi normalisht gjer rreth orës 17:00, ku u numërua dhe vota e fundit dhe nxori kandidatin e së majtës fitues. Edhe Bashkia e Orikumit, e cila prej katër vitesh qeverisej nga PD-ja, në zgjedhjet e 8 majit  është fituar nga kandidati i “Aleanca për të ardhmen”. Kanan Braho nuk kandidoi dot për një mandat tjetër si kreu i kësaj Bashkie, duke qenë se ajo iu la përfaqësuesit të LSI–së. Në këtë Bashki fitoi kandidati i PS-së, Gëzim Capo, me 270 vota më shumë se rivali i tij i LSI–së, Arben Suloj.

Selenica

Bashkia e Selenicës pritet të nxjerrë rezultatin ditën e sotme. Komisionerët nuk i hapën kutitë ditën e djeshme, për shkak të lodhjes me kutitë e komunave të tjera. Nuk dihet nëse mund të ketë përmbysje të rezultateve të pritshme dhe nëse kreu aktual i saj do të korrë një fitore tjetër. Kjo pasi këto zgjedhje kanë shënuar përmbysje bastionesh dhe tashmë nuk mund të aludohet për fitues, duke u nisur vetëm nga fakti i orientimit partiak të deritanishëm i banorëve të kësaj Bashkie. Sipas komisionerëve, kutitë e Bashkisë së Selenicës do të numërohen brenda ditës dhe rezultati do të bëhet publik ditën e sotme

Gjika

Kryebashkiaku Gjika ftoi dje pas fitores rivalin e tij t’i çonte në Bashki platformën e tij për Bashkinë, duke treguar gatishmërinë për ta studiuar atë dhe për të vënë në veprim mjaft pika të saj, të cilat do të ishin në interes të qytetarëve vlonjatë. “Unë jam kryetar i Bashkisë së Vlorës për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim të bindjeve politike të tyre”, u shpreh Gjika. Pas deklaratës së tij, dhënë menjëherë sapo fitoi zgjedhjet, ai ka festuar bashkë me simpatizantët dhe miqtë e tij. Ndërkaq, qyteti i Vlorës ka vijuar edhe ditën e djeshme një ditë normale për banorët, të cilët nuk kanë shkaktar asnjë incident mes tyre.

Vlore

Bashkia Orikum
Gëzim Capo, PS fitues

Bashkia Himarë
Gjergji Goro, PS, 1575 vota
Vasil Bollano, PBDNJ, 1474 vota

Komuna Qendër
Fredo Berberi, PD, fitues

Komuna Novosele
Kanan Shakaj, i pavarur, fitues

Kumona Vllahinë
Gëzim Hoxha, PS, fitues

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

© Panorama.al

Te lidhura