Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe deputetja Jorida Tabaku po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Berlin, ku kanë mbajtur një takim me Armin Laschet, Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Bundestag.
Ai është gjithashtu ish-kryetar i CDU dhe ish-kandidat për Kancelar i Gjermanisë në vitin 2021, një nga figurat më të spikatura të politikës gjermane dhe një zë i rëndësishëm për zgjerimin e Bashkimit Europian.
Bardhi, në një postim në rrjete sociale, shpreh mirënjohje për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, por shton se ky proces duhet t’u shërbejë qytetarëve, duke forcuar luftën kundër korrupsionit dhe shtetin e së drejtës.
Njoftimi i plote:
Në Bundestag, Gjermani | Me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme z. Armin Laschet.
-Laschet, është edhe ish-kryetar i CDU dhe ish-kandidat për Kancelar i Gjermanisë (2021) – një nga figurat më të spikatura të politikës gjermane dhe një zë i rëndësishëm për zgjerimin e Bashkimit Europian.
Diskutuam mbi procesin e integrimit të Shqipërisë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë, e cila ka qenë dhe mbetet një partner kyç në këtë rrugëtim.
Shqipëria është me fat që ka pasur këtë mbështetje të qëndrueshme. Por integrimi europian nuk është një qëllim në vetvete – është një proces që duhet t’i shërbejë qytetarëve, duke forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është momenti të kalojmë nga fjalët tek veprat
© Panorama.al












