
Deputeti i PD-së, Jemin Gjana, e cilëson blof dhe alibi paketën e propozuar nga Edi Rama për tejkalimin e krizës politike. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai flet gjithashtu për debatin mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor, si dhe zgjedhjen e Presidentit. Sipas Gjanës, nuk ka arsye për ndryshime në qeveri, por ministrat e përfolur mund ta vendosin vetë nëse duhet të largohen.
Kreu i PS-së, Edi Rama, shpalosi dy ditë më parë një pakt me 10 pika, duke e cilësuar një shans të fundit para daljes së progres-raportit nga KE. Si e komentoni ju këtë lëvizje të opozitës?
Nga aq eksperiencë të fituar këto javë, të paktën nga aty ku unë drejtoj komisionin, nuk shoh akt, shoh më tepër një blof dhe një alibi për të thënë që ne nuk i bëjmë dot gjërat ashtu siç kërkohen. Në qoftë se kërkohet për t’i riparë ligjet që kërkojnë 3/5, ata kanë pasur gjithë seancën në dispozicion dhe nuk votuan. Sa i përket Avokatit të Popullit dhe ligjeve me shumicë të cilësuar, u është dhënë hapësira prej kohësh. Pastaj, kur shtohet edhe hetimi për WikiLeaks-in, unë mendoj që gjërat janë një blof.
Zoti Gjana, PD dhe PS kanë përcaktuar negociatorët për reformën zgjedhore. Nga radhët e PS-së është lënë të kuptohet se do të ngulmohet më shumë në ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe riformulimin e KQZ-së. Në vlerësimin tuaj, a duhen prekur këto dy çështje?
Një hap i parë pozitiv është bërë fakti që edhe opozita, më së fundi, pas dy vjetësh, ka rënë dakord t’i hyjë procesit për të rishqyrtuar, veçanërisht, problemet që kanë të bëjnë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s, sepse deri tani i ka refuzuar. Grupi i punës do të eksplorojë çështjet. Thelbësore janë ato që kanë dalë si rekomandime për të përmirësuar Kodin aktual Zgjedhor. Çfarë do të ndodhë, mbetet për t’u parë cila do të jetë axhenda. Nuk ka ende ndonjë qëndrim të ngurtësuar politik për t’i parë të gjitha çështjet, por në këndvështrimin tim, edhe si një deputet që ka qenë i përfshirë për një kohë të gjatë në çështjet e reformës zgjedhore, nuk e gjykoj të arsyeshme që vendi t’i nënshtrohet ndryshimit të sistemit. Nuk kam parë, nga të gjitha ato që kam lexuar, praktikën e ndonjë vendi, i cili sistemin zgjedhor ta ketë ndryshuar në çdo palë zgjedhje. Çështjet janë te besueshmëria mes palëve. Sistemi që kemi përdorur për gati dy dekada ka qenë sistemi gjerman i përpunuar, i thjeshtëzuar në kushtet tona. Ka pësuar pak ndryshime në 1997-n sepse ulëm kufirin e poshtëm të hyrjes në Parlament dhe me atë kemi punuar deri në 2009-n. Ndryshimi në 2009-n, kalimi në proporcional rajonal, besoj se është i përshtatshëm. Nuk besoj që është në të mirën e vendit që në 2013-n të ndryshojë sistemi dhe e sigurt që mund të krijohen probleme dhe të shkojmë me sistem tjetër në vitin 2017. Çështja duhet parë te mirëkuptimi mes palëve.
Partitë e vogla kanë kërkuar që të jenë edhe ato pjesë e reformës zgjedhore. Do të ndodhë si para 3 vjetësh, kur ato thuajse u përjashtuan?
Kam vërejtur këto ditë një insistim, veçanërisht të faktorëve të vegjël politikë në vend, për t’i bërë ndryshime sistemit që një numër më i madh partish të gjejnë hapësirë të jenë pjesë e Parlamentit. Nuk mund t’i akuzojmë ata për këto pretendime që shfaqin, por duhet të dimë të ndajmë sa kjo shkon në interes të vendit dhe sa shkon në interes të disa grupimeve të caktuara, për të mos thënë edhe të disa individëve të caktuar. Praktika e 2001-s dhe 2005-s, kur në Parlament kishte 15 grupe parlamentare, nuk mendoj se është zgjidhja më e mirë për vendin. Nuk mund të them se Shqipëria mund të jetë një vend me një sistem dypolar, me PD dhe PS. Katër, pesë ose gjashtë aktorë mund të jenë në Parlament, por me 15 grupe, që pastaj marrin deputetë nga PD dhe PS për të formatuar grupet e tyre dhe në momente të caktuara individë të ndryshëm bëjnë një grup të caktuar, bëjnë presion dhe duan të zhvatin pjesë të qeverisjes së vendit. Kjo nuk është filozofi politike, por interesash.
Po përsa i përket KQZ-së?
E gjithë administrata ka qenë dhe mbetet një pikë e fortë debati. Aktorët e vegjël politikë kanë përfaqësi me vëzhguesit dhe ata kanë të njëjtin status me anëtarët e Komisionit. KQZ-ja, që nga viti 1999, kur për herë të parë është formatuar Kodi, ka qenë një pikë e fortë debati. Nuk besoj se ka një formulë magjike, nuk them se nuk mund të jetë një çështje që nuk mund të hajë diskutim. Tezat që mund të ndërtojmë një administratë zgjedhore të pavarur nuk mund të bëhen realitet. Unë besoj që është gjetur zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme që i çon palët në një vendim. Ka formula të ndryshme, mund të eksplorohen, por problemi është që palët të bien dakord dhe ta votojnë pastaj.
A do të ishte, për shembull, një propozim i pranueshëm nga ju që Presidentit t’i rikthehet e drejta e propozimit të një anëtari të KQZ-së? Ai e ka pasur, ju ia hoqët, tani po artikulohet sërish?
Do të ishte e mundur nëse qëndrimet e kryetarit të shtetit do të ishin mbi palët.
Sipas jush, qëndrimet e deritanishme të tij nuk kanë qenë mbi palët?
Për hir të së vërtetës, nuk ka pse të bëjmë sikur nuk jetojmë në Shqipëri. Nuk ndodh vetëm me këtë Presidencë, është me të gjitha presidencat që pas zgjedhjeve të 1997-s. A është e vërtetë që Shqipëria është qeverisur me zv.ministra për muaj të tërë para 2005-s? Për shkak të debateve, konflikteve dhe qëndrimeve jokoherente mes palëve, e njëjta gjë ndodhi me Presidencën tjetër, e njëjta gjë po ndodh me Presidencën e sotme. Do të ishte e mundshme, nëse vërtet presidencat e 10-vjeçarit do ta kishin dhënë përpara publikut qëndrimin se janë mbi palët. Por, nëse presidentët janë brenda një pale apo një pale tjetër dhe në vetvete zhvillojnë lojë politike në funksion të tyre pasi të lënë Presidencën, atëherë çështja bëhet e dyshimtë për ta lënë në dorë të Presidentit një emër që mendohet se është mbi palët. Por, në fakt, nuk është mbi palët dhe që sheh përtej datës kur do të lërë postin e Presidentit.
Duket se po i trembeni që sot faktit se zoti Topi mund të formojë një parti që mund të marrë nga elektorati i djathtë…
Nuk kam ndonjë dije, por disa simptoma nuk janë të padukshme. Unë bëj pjesë tek ata që nuk duan ta fshehin veten pas gishtit; një gjë që e shoh, kam të drejtë të bëj komentin tim.
PS ka shprehur pendesën e saj për ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe kërkon konsensusin tuaj për ta amenduar sërish ligjin themeltar të shtetit. PD është kategorikisht e prerë në mosprekjen e Kushtetutës këtë herë?
Kushtetuta dhe ligjet e rëndësishme nuk janë si pasarelat e modave. Janë gjëra që i duhet lënë hapësirë dhe kohë për ta parë si rezultojnë çështjet. Nëse për interesa të ngushta politike u hyhet ndryshimeve, nuk do të thotë se presim rezultat pozitiv. Nuk besoj se ka vend për t’i hyrë pas 3 vjetësh ndryshimeve në Kushtetutë. Duhet të shikohen rezultatet fillimisht.
Është e vendosur PD-ja ta zgjedhë Presidentin me 71 vota? Ka një sugjerim nga ndërkombëtarët që të zgjidhet brenda 3 raundeve të para…
Të dyja hapësirat janë të mundshme dhe kushtetuese. Nëse do të arrihet me mundësinë e parë, që do të thotë se është një zgjedhje më bashkërenduese, do të jetë e para. Nëse s’do të arrihet me të parën, do të shkohet me zgjedhjen e dytë, sepse Shqipëria, në vitin e fundit të një mandati, nuk ka pse të shkojë në kriza që mund të përkeqësojnë situatën.
Në debatin për Presidentin janë hedhur nga aleatët tuaj dhe të PS-së emrat e Topit dhe Topallit. Ju, keni një koment për këta emra?
Unë nuk dua të bëj komente për individë. Ajo çfarë mund të them lidhur me propozimet që janë hedhur, janë propozime individësh. Në strukturat e PD-së dhe nivelet e saj të larta drejtuese ende nuk është hapur diskutimi dhe debati për emra për Presidentin e ardhshëm.
Zoti Gjana, PD-ja do të shkojë me këtë kabinet qeveritar në zgjedhjet e vitit 2013?
Çështja e ndryshimeve në qeveri është një çështje mode në Shqipëri. Ndryshimet vijnë për dy arsye: së pari, për ndryshimin e një filozofie qeverisjeje. Këto janë ndryshimet më të rëndësishme. Nuk gjykoj se ky moment është tani. Nuk besoj se duke ndryshuar disa ministra në një moment të caktuar, kemi gjëra për të ndryshuar në program dhe në filozofinë e qeverisjes. Së dyti, bëhen ndryshime për shkak të presioneve nga brenda aktorit kryesor politik dhe aleatëve. Nuk shoh që ka një intension të kësaj natyre, as brenda PD-së, nuk shoh as tek aleatët. Për të dyja këto arsye, nuk shoh ndonjë moment të shpejtë të ndryshimeve në qeveri. Në fund, kjo është kompetencë kushtetuese e Kryeministrit.
A mund të ketë ndryshime në kabinet nëse ka ministra të përfolur?
Përfolja në Shqipëri është bërë, për fat të keq, bezdisëse. Sulmet ndaj atyre që kanë pushtet nuk ndodhin vetëm këtu tek ne, por ndodhin me fakte, ndërsa në Shqipëri dëgjohen në tavolina dhe arrijnë deri në Parlament. Nëse dikush përflitet, është në çmimin e tij nëse gjykon që shkallën e përfoljes ta përkthejë në një akt dorëheqjeje. Por, është gjithmonë në gjykimin e tij se sa ai e ndien dhe e arsyeton. Ndryshimi mund të vijë së dyti në rastin kur ndërtohet një akuzë dhe vërtetohet në organet përkatëse.
Zgjedhjet në PD kanë filluar në dhjetor të vitit 2009 me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe ende nuk kanë përfunduar. Përse u shty kaq shumë zgjedhja e sekretarëve dhe nënkryetarëve?
Mund të bëheshin edhe në këto zgjedhje. Së pari, u pritën zgjedhjet lokale të 2011-s me qëllim që njerëzit që erdhën me fluksin e 2009-s të kishin mundësi të performonin dhe që më pas të zgjidheshin. Së dyti, numri i individëve që kërkojnë të performojnë dhe të rrisin shkallët e karrierës është me shumicë te partitë e mëdha. Në çdo rast zgjedhjesh në këshill kombëtar, në kryesi dhe sekretariat, sado të përpiqesh të bësh më të mirën e mundshme, shkallë pakënaqësie dhe hatërmbetje do të ketë. Kjo është normale. PD-ja nuk ka pasur arsye të nxitohet ta bëjë kazanin më të nxehtë brenda vetes sa kohë ka pasur një përballje dhe një luftë politike 2-vjeçare të paprecedentë. Në këto kushte, a ishte e arsyeshme që PD-ja të hapte një debat brenda vetes? Unë e quaj krejt normale që një të zgjidhet dhe disa të tjerë të kenë hatërmbetjet e tyre. Edhe kjo ka qenë një arsye e dytë për t’i mbajtur në qetësi debatet dhe diskutimet brenda PD-së, sa kohë që ne ishim të detyruar të përballeshim me opozitën dhe gjithë faktorin tjetër për ta bindur atë si është situata.
ADI SHKEMBI











