Më 15 mars, në orën 12.29 minuta, ndodhi tragjedia e Gërdecit, (fshat në afërsi të qytezës së Vorës). Shpërthim, që kishte fuqinë e 3,5 ballëve rihter, u ndie edhe në Tiranë. Kam qenë duke lexuar bocat e librit “Demokracia dhe zëri i moralit”, kur dëgjova zhurmën karakteristike të një tërmeti dhe m’u lëkund fort karrigia ku isha ulur. Pas pak, kur erdhi Lavdia, e pyeta: “A e ndjeve tërmetin që ra”? Përgjigjen ndërkohë po e jepte Top Channel: Shpërthim i fuqishëm në Gërdec, panik dhe viktima! Mund të quhet një katastrofë kombëtare. Deri tani janë raportuar 24 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur, mbi 2000 shtëpi të shkatërruara dhe të dëmtuara, mijëra njerëz të traumatizuar dhe të mbetur jashtë, dëme materiale të pallogaritshme. Shteti i zënë në “grackë”.
Hutim i përgjithshëm, keqardhje, solidaritet i paparë. Qeveria u vu në lëvizje me shpejtësi. Berisha 2-3 herë në ditë filloi të dalë në konferenca shtypi, duke dezinformuar opinionin me lloj – lloj të pavërtetash e kundërthëniesh. Nuk munguan as nxitimet tipike për Berishën: nuk ka faj shteti, nuk ka faj ministri i Mbrojtjes, demontimi i municioneve në Gërdec bëhej nga një firmë private!!! Ndërsa në intervistën për BBC-në, Berisha pohoi se ai vetë nuk dinte gjë, kurse Mediu, po, firmosi për Gërdecin! Kuptohet, asnjë fjalë për implikimin e vet dhe të familjarëve të tij (djalit dhe baxhanakut të tij me mjekër të mbiquajtur Xhimi, i cili kontrollonte gjithçka në “uzinën” e Gërdecit). Po pse në Gërdec, në një zonë aq të banuar, në afërsi të Tiranës, të aeroportit të Rinasit, të autostradës etj etj? Kush e lejoi, kush përfitonte nga kjo, mos kemi të bëjmë me një rast të pastër korrupsioni, me maskim të kontrabandës së armëve? Pse u lejua që të punojnë fëmijë për demontimin e predhave të kalibrave të mëdhenj, pse punëtorët punonin në të zezë dhe pa respektuar rregullat më elementare të sigurimit teknik, ndërsa në Bosnjë çohen specialistë shqiptarë për të kryer një operacion të tillë? Pyetje pa fund, opinioni publik ndihet i pasigurt, aq sa të pyetur nga mediat, njerëz të moshave të ndryshme të deklarojnë: “Në Shqipëri nuk mund të jetohet, do të largohemi edhe ne si shumë emigrantë të tjerë. Dëm i pallogaritshëm edhe në rrafshin moral e psikologjik.
Një sprovë e vështirë
Prokuroria nisi hetimet pas tri ditësh. Duket sikur u ka lënë kohë të mjaftueshme fajtorëve për të bërë “paktin e heshtjes”, apo të hedhjes së fajit tek të tjerët…! Qeveria dhe vetë Berisha shpejtoi të blejë heshtjen e të dëmtuarve “me para në dorë”! Për këtë qëllim miratoi shpejt e shpejt një fond prej 18 miliardë lekësh (të vjetra) për të përballuar dëmet. Një debat parlamentar i ashpër, por që qeverinë e vuri në pozita mbrojtëse, kurse opozitën në pozita sulmi. Pa harruar si zakonisht, për t’i kujtuar njëri-tjetrit bëmat e ngjashme të së kaluarës! E megjithatë, kësaj here nuk duhet lejuar që fajtorët konkretë të mos zbulohen dhe të mos ndëshkohen sipas ligjit.
Ky ka për të qenë një tregues i pjekurisë së sistemit politik dhe i së drejtës. Dhe jo thjesht për hir të marrjes së ftesës për në NATO, që pritet të ndodhë gjithsesi. Po sa ka për të ndikuar pozitivisht një hap i tillë? I mbetet së ardhmes. Në tërë këtë që ndodhi, si dhe ne debatet e deritanishme, më tërheq vëmendjen edhe një fakt tjetër kuptimplotë: shoqëria jonë vazhdon të jetë ende mjaft larg për t’u quajtur moderne dhe e pjekur në një shkallë të mjaftueshme për të adoptuar dhe zbatuar standardet e një shoqërie të sigurt e të zhvilluar. Populli ynë vazhdon të jetë folklorik, të shprehë si asnjë tjetër dhimbje e solidaritet me viktimat pas një tragjedie si kjo e Gërdecit, me një pjesëmarrje të paparë në varrime. Vetë u bëra dëshmitar në varrimin e Endri Dvoranit, djalit 46-vjeçar të Mustafajt e Katerinës (të dy doktorë të nderuar në pension), që punonte si ekonomist dhe humbi jetën në Gërdec. Edhe pse ditë me shi dhe shumë baltë, në varrezat e Sharrës pjesëmarrja ishte e madhe.
Nuk jam kundër një solidariteti të tillë. E theksoj vetëm e vetëm se kam mendimin që ka ardhur koha për ndërrimin e prioriteteve. Në vend që të akumulojmë lotët për të qarë pasi ndodhin fatkeqësitë, le të aftësohemi dhe të veprojmë për t’i parandaluar ato. Në vend të “kultit të vdekjes”, le të lartësojmë “kultin e jetës”! Në këtë aspekt vazhdojmë të jemi shumë deficitarë. Kujdesi ynë për ta reformuar sistemin që ai të mund të parandalojë krizat, apo dhe fatkeqësitë që vijnë për faje njerëzore, vazhdon të jetë minimal. Ne flasim e shkruajmë male me letër për standarde të sigurisë, apo për standardet e bashkëjetesës demokratike dhe njëherësh, vazhdojmë ose të mos i njohim si duhet standardet, ose të tallemi e të mos i zbatojmë ato duke rendur pas zgjidhjeve “fshatçe”. Krizat duken si vullnet i askujt, pra dhe si përgjegjësi e askujt! Dimensioni parandalues, për pasojë, vazhdon të jetë i ulët, ndërsa individualizmi i shoqëruar me shprehjet: “Larg shtëpisë sime” dhe “i vdekuri në shtëpinë e botës duket sikur fle”, vazhdojnë të jenë tregues i një prapambetjeje të theksuar e të pafalshme. Duhet të ndërgjegjësohemi se kemi ende shumë primitivizëm nëpër këmbë.
Politika dhe politikanët, zërin e moralit (ose thënë ndryshe vlerat morale), e kanë zëvendësuar me zërin e parasë, të pasurimit të shpejtë dhe të pamerituar. Për pasojë, politikanët tanë adhurojnë luftën për pushtet, humbasin vite për të bërë një reformë zgjedhore, por nuk shqetësohen për shoqërinë në të cilën jetojmë, për brezat që do të vijnë pas nesh dhe që duhet të vazhdojnë ta zhvillojnë këtë vend. Nuk zgjidh asgjë vetvetiu koha, vitet që rrjedhin një nga një përpara, apo akti zyrtar i marrjes së ftesës për anëtarësimin në NATO. Askush tek ne sot nuk mund të thotë ndonjë gjë me mend për Shqipërinë e viteve 2015, 2020 apo 2030, sepse mungojnë tërësisht studimet, strategjitë e zhvillimit dhe parashikimet afatgjata. Vetëm flitet për dëshira për të marrë sa më shpejt ftesën e anëtarësimit për në NATO, apo për t’u bërë vend anëtar i Evropës së Bashkuar, pa e vrarë shumë mendjen se anëtarësimi nuk është aspak një akt formal, apo ndonjë dhuratë e “Babagjyshit” të Vitit të Ri, që vjen një herë në vit!
Shqipëria pas Gërdecit
Në mbyllje të këtij shënimi do të thosha: Shqipëria pas Gërdecit duhet të zgjohet dhe ta shohë veten në një përmasë tjetër, së pari, duke rivlerësuar politikën dhe politikanët, vizionin e deformuar që është krijuar për ekonominë e tregut dhe demokracinë. Institucionet e shtetit duken krejt jashtë rolit të tyre. Berisha, përqendrimin e tyre në duart e veta u përpoq ta përligjte para kësaj me rritjen e efektivitetit të institucioneve në luftën kundër korrupsionit, ndërsa realisht paska qenë e kundërta. Sot ai në mënyrë naive deklaron se nuk paska ditur asgjë për Gërdecin. “Zero dijeni për Gërdecin”!!! A mund ta thotë këtë një kryeministër që duhet të dijë se përgjigjet njëlloj si për veprimet dhe për mosveprimet për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve që ka marrë përsipër të qeverisë? Me të drejtë, poeti popullor reagon duke shkruar: “Po u them unë ju|/ Të hiqni merakun/ S’kam si di Gërdecin/ Kur s’njoh baxhanakun).
Ndërsa, kryetarja e Parlamentit, krejt jashtë funksionit të saj, i përgjigjet në një mënyrë të habitshme e të papërgjegjshme deputetit të opozitës që denoncoi në seancën e 31 marsit depozitimin në bankat e Qipros të parave të korrupsionit dhe trafikut të armëve me emrin “Gërdec”. “Ato llogari,- i tha ajo deputetit Braçe,- do t’i shohim për të gjithë. Letrat do t’u hapen të gjithëve, mos u mërzit, të gjithëve, të ish-kryeministrave, të ish-ministrave, edhe të kryetarit tuaj të partisë, edhe për lejet e pallatit, ua kemi falur ato 300 mijë euro që merr për pallatet. Do i hapim ne letrat, me lejë ndërtimi, me tendera, me ish-kryeministra, me të gjithë…” Pyetja më e thjeshtë që mund të shtrohet: Deri sa i paskeni ditur gjithë këto raste korrupsioni, pse keni heshtur, pse keni pritur një Gërdec? Mos keni heshtur për të mbrojtur korrupsionin e kryeministrit tuaj?
Dakord, le të shërbejë Gërdeci për t’i hapur letrat për të gjithë, por po vihet re e kundërta. E megjithatë, krateri i hapur nuk mund të mbulohet lehtë. Gërdeci do të hyjë në histori jo vetëm si rast i pastër korrupsioni, por dhe si forma më tipike e kapjes së shtetit prej makutërisë së përfitimeve nga trafikimi i armëve dhe shfrytëzimi i punës skllavëruese të njerëzve në nevojë, i punës së grave dhe fëmijëve të zonave rurale të mbetura larg vëmendjes së shtetit dhe të shoqërisë. Qeveria e “duarve të pastra”, që premtoi Berisha pas zgjedhjeve të 2005, rezulton të jetë qeveri e “duarve, e këmbëve dhe e kokave të pista”!
Gërdeci është një rast tjetër, fatkeqësisht shumë tragjik, për të njohur fytyrën e vërtetë amorale të politikanëve të veshur me pushtet, për të cilët vazhdon të jetë i huaj “institucioni i të kërkuarit falje” për premtimet e pambajtura, për mashtrimet elektorale dhe pehlivanllëqet manipuluese të opinionit edhe me një fatkeqësi të përmasave të Gërdecit. Megjithatë, ndihem i inkurajuar kur mendoj se “çmontimi” i fenomenit “Berisha” mund të avancojë me shpejtësi tani pas zgjidhjes së pavarësisë së Kosovës dhe marrjes së ftesës për anëtarësim të Shqipërisë në NATO. Opozita nuk ka pse e përdor tragjedinë e Gërdecit për revansh, por gjithsesi ka rastin për t’u treguar më e fortë, më kërkuese, më e bashkuar, më solidare.
Natyrisht, problemi është kompleks dhe jo i thjeshtë për t’u zgjidhur menjëherë, sepse Berisha nuk e njeh institucionin e ndjesës dhe të dorëheqjes. Për më tepër, vazhdojnë përpjekjet për të mos i hapur letrat e për të manipuluar hetimet. Hutimi bën punën e vet. Prapë populli do të harrojë? Prapë populli duhet të harrojë? Prapë populli duhet të falë? A duhet, më në fund, të kuptojë ai se me votën e tij ka në dorë që të ndryshojë rendin e gjërave në këtë vend? Opozita a do të dijë të jetë e bashkuar dhe të veprojë fort si e tillë pa rënë në pozitat e një bojkotimi pasiv e standardi të ulët demokracie? Në këtë rrafsh duhen adoptuar qëndrimet që ofron parlamentarizmi dhe një demokraci protestuese, pa rënë në pozitat sentimentale që kërkon të imponojë Berisha, i cili po luan aktorin që di të derdhë lot krokodili. Opozita, në rastin e dhënë, veproi drejt kur nuk e ngatërroi përgjegjësinë e Berishës, Mediut etj., për Gërdecin, me ftesën e pritshme për anëtarësim në NATO, duke adoptuar sloganin: “Po” NATO-s, “Jo” Berishës”. Iniciativë e goditur ishte edhe letra e Ramës për Shifterin dhe tryeza me ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Me të drejtë, ambasadori i SHBA-së e quajti këtë “hap prej burri shteti”. Megjithatë, kujdes opozitë se ke përballë një Berishë-mjeshtër të bllofeve dhe të hedhjes së përgjegjësisë tek të tjerët..! Ndërsa “Opozitë ndryshe”, nuk do të thotë “hiç opozitë”, z.Rama.
Ç’mësime të tjera mund të nxirren nga Gërdeci?
Të dimë të përcaktojmë radhën e prioriteteve, të fitojmë kohën e humbur. Për këtë duhen analiza të thella, bile edhe nga ata që e shohin veten disi më larg tragjedisë. Në këtë rrafsh nuk kanë të drejtë, sipas mendimit tim, ata që thonë: prisni sa të mënjanohen pasojat e tragjedisë pastaj të merremi me veten tonë. Nuk kanë të drejtë as ata, që të dëshpëruar nga ndodhia e Gërdecit, nuk shohin rrugëdalje te parimet e demokracisë e shtetit ligjor dhe thonë se vetëm një “revolucion popullor” mund të na shpëtojë nga politikanët e këqij! Jashtë loje del edhe ndonjë “intelektual” i vetmuar që vihet në rolin e një kleriku të rëndomtë duke predikuar se në kushtet kur morali laik paska dështuar, vetëm feja, vetëm besimi te Zoti mund ta nxjerrë nga kriza politikën, duke e pajisur me normat e sigurta të moralit fetar! (A. Boti, “Sistemet politike dhe 666”). I respektoj besimtarët e sinqertë, por jam vendosmërisht kundër përdorimit të fesë për qëllime politike, sepse në periudha fatkeqësish, imagjinata njerëzore mund të “pjellë” zgjidhje reale, por dhe përçudnime…!
Gjithsesi, tragjedia e Gërdecit bën apel për një ndryshim thelbësor të mënyrës së deritanishme të të bërit opozitë. Ajo duhet të jetë më e fortë dhe më racionale. Dhënia e konsensusit për reformat dhe për ftesën për anëtarësim në NATO, kurrsesi nuk duhet të lërë në harresë tragjedinë e Gërdecit, që përbën një arsye më se të mjaftueshme për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë Berisha. Pse jo edhe përmes veprimtarive masive, që realisht, në vend të udhëhiqeshin nga opozita, në përputhje me parimet dhe hapësirat e demokracisë, u frenuan. Mirë a keq, e ardhmja do të japë verdiktin e vet.
SERVET PELLUMBI











