
TIRANE – Sokol Ngjeci, një nga të pandehurit e dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës, hodhi poshtë dje disa prej deklarimeve të dhëna prej tij në fazën e hetimeve të shpërthimin të 15 marsit 2008. Në një deklarim të lirë para gjykatës, Ngjeci tha se nuk pranonte një pjesë të deklarimeve të tij para prokurorëve. I pandehuri e argumentoi pretendimin e tij me faktin se i kishte dhënë ato në kushte të rënduara psikologjike. Ndërkohë, gjykata me një vendim të ndërmjetëm, pranoi kërkesën e prokurorisë për të bërë pjesë të dosjes shtatë deklarime të dhëna nga Ngjeci gjatë hetimeve paraprake. Ngjeci nuk e specifikoi pjesën e deklarimeve që donte të “rrëzonte”. “Deklaroj se u qëndroj plotësisht të gjithave deklarimeve të bëra gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor para Gjykatës, dhe hedh poshtë një pjesë të deklarimeve që kam dhënë për organin e akuzës gjatë hetimit paraprak. Kjo, për shkak se një pjesë të tyre i kam dhënë në kushte jo të mira psikologjike”, deklaroi Ngjeci para Gjykatës. Në seancën e djeshme gjykata kishte paracaktuar pyetjen e tij. Por në momentin e fundit, atëherë kur gjykata i dha të drejtën e fjalës, i pandehuri u tërhoq. “Është e vërtetë që pa pak seanca më parë unë dhashë pëlqimin për t’u pyetur. Por, pasi u konsultova me avokatin tim vendosa të tërhiqem nga ky qëndrim”, u shpreh Ngjeci. Në vijim gjykata administroi shtatë procesverbale të deklarimeve të Sokol Ngjecit, dhënë prej tij nga maji 2008-të deri në mars 2009-të. Vendimi i gjykatës nuk u mirëprit nga avokati mbrojtës i Ngjecit, i cili pretendoi se një pjesë e tyre i ishin marrë të pandehurit pa praninë e një avokati. Ndërkohë, në deklarimin e tij të lirë para gjykatës, Ngjeci sqaroi dje marrëdhëniet e tij me të pandehurit e tjerë në proces. Sipas tij, marrëdhëniet me Ylli Pinarit, ish-kreun e MEICO-s, Dritan Minxollin, ish-drejtorin e Fabrikës së Demontimit dhe Mihal Delijorgjin, administratorin shqiptar të SAC – Albademil, kishin qenë korrekte bazuar në detyrën funksionale të Ngjecit, atë të specialistit të marketingut të MEICO-s. “Në asnjë rast nuk kam konstatuar e nuk i kam ngritur ndonjë shqetësim apo problem Dritan Minxollit, kjo për sa i takon procesit të demontimit të municioneve”, tha Ngjeci. ar.ba
Ngjeci: Siguria, detyrë e FA
Në deklarimin e tij të lirë para gjykatës, ish-specialisti i MEICO-s, Sokol Ngjeci tha se siguria e përgjithshme e demontimit në Gërdec i përkiste Ministrisë së Mbrojtjes. “Konstatoj se Vendimi i Këshillit të Ministrave 138 dhe Udhëzimi 550 i vinte detyrë Forcave të Armatosura për sa i takon sigurisë së përgjithshme operacionale të demontimit të municioneve në atë ambient të Ministrisë së Mbrojtjes. Më habit përmbajtja e urdhrit 2044-t, të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka një deformim serioz dhe të qëllimshëm në shkelje të plotë të VKM 138”, tha Ngjeci. Duke folur për demontimin në Gërdec ai u shpreh se “procesi i punës që kryhej për demontimin e municioneve ka vazhduar normalisht dhe nuk kam konstatuar asnjë shqetësim”.











