Gedafi i bërtet NATO-s: Nuk mund të më vrisni dot

May 15, 2011 | 10:01

Koloneli libian, Muamar Gedafi, gjatë një fjalimi “të ndezur” në televizionin shtetëror, u bërtiti anëtarëve të NATO-s se nuk mund ta vrasin dot.Ai tha se ndodhet aty ku ata nuk mund ta vrasin, në zemrat e miliona personave. “U them frikacakëve (NATO-s) se unë jetoj në një vend ku nuk më vrisni dot, jetoj në zemrat e miliona personave”, bërtiti lideri libian. Thirrja e Gedafit ishte përgjigje ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini, në intervistën e një dite më parë. Fratini deklaroi të premten se kolonel Muamar Gedafi është larguar nga Tripoli, por jo nga Libia dhe se ai mund të ishte plagosur. Burimi i ministrit të Jashtëm italian ishte “Peshkopi i Tripolit është i besueshëm”. Sipas Fratinit, në çdo rast “një e dhënë është e saktë: presioni i ndërkombëtarëve e ka detyruar Gedafin të fshihet në një vend më të sigurt”. Supozohet se Gedafi mund të jetë strehuar në një zonë shkretëtire në Libi. Fratini theksoi në një intervistë për “Corriere della Sera” se “vrasja e Gedafit nuk është e mundur, sepse nuk parashikohet nga Rezoluta 1973 e Kombeve të Bashkuara”. Rezoluta “nuk u referohet personave të veçantë dhe nuk besoj se në Këshillin e Sigurimit do të ishte arritur marrëveshja, nëse do të ishte parashikuar vrasja e tij”, shtoi Fratini. Ministri i Jashtëm italian ka fajësuar politikën e nxitur nga Tripoli për të dërguar varka të mbushura me emigrantë  drejt Europës, si një “mjet kriminal që përdoret nga regjimi i Gedafit” për të ushtruar presion. Fratini tha se beson që përfundimi i luftimeve në Libi do të jetë shumë afër. “Unë nuk besoj se do të duhet edhe shumë kohë: siguria e dëshiruar është që të arrihet në një kohë të pranueshme drejt një qeverie provizore të unitetit kombëtar”. Fratini tha se është dakord me ministrin e Brendshëm italian, Roberto Maroni, i cili këmbëngul që për Libinë duhet një zgjidhje politike. Ndërkohë, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë pritet të lëshojë deri në fund të muajit maj një urdhër për arrestimin e liderit libian, Muamar Gedafi. “Deri nga fundi i muajit, Gjykata Ndërkombëtare, sipas të gjitha gjasave do të lëshojë urdhrin për arrestimin e kolonelit Gedafi dhe të disa pjesëtarëve të tjerë të regjimit të tij e, ndoshta edhe të anëtarëve të familjes së tij”, tha Fratini. Pas deklaratës së Fratinit për plagosjen e Gedafit, një zëdhënës i qeverisë libiane theksoi se kolonel Gedafi ishte në gjendje tepër të mirë shëndetësore dhe shpirtërore.

Hakmarrje për imamët

Ndërsa në Marsa el-Brega po kryheshin funeralet solemne të 11 imamëve të goditur mëngjesin e së premtes nga një bombardim i NATO-s, nga Tripoli një tjetër imam ka “mallkuar” qytetarët e të gjitha vendeve që kanë marrë pjesë në fushatën ushtarake, nën komandën e NATO-s, kundër regjimit të Muamar Gedafit. Imami ka bërë thirrje për “çdo mysliman në botë” që për çdo viktimë të sulmit në Brega të vriten një mijë persona që u përkasin vendeve, si: Franca, Italia, Danimarka, Britania, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

© Panorama.al

Te lidhura