Gazsjellësi, Shqipëria firmos me TAP memorandum bashkëpunimi

Jul 22, 2011 | 11:36

Integrimi i Shqipërisë në tregun rajonal të gazit natyror është një nga objektivat kryesorë të Ministrisë së Ekonomisë, e cila dje ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me konsorciumin TAP. Përfaqësuesit e një prej projekteve më të përfolura për gazsjellësit në vendin tonë, ai Trans-Adriatik, kanë rënë dakord me ministrin Nasip Naço, lidhur me studimin dhe gjetjen e mundësive të integrimit edhe të një tjetër gazsjellësi brenda projektit ekzistues të TAP. Bëhet fjalë pikërisht për projektin IAP që është gazsjellësi Adriatik-Jon, i cili mendohet që të bashkohet me TAP në Fier. Falë marrëveshjeve të nënshkruara mes palëve përfaqësuese, hapat e mëtejshëm për këtë projekt do të jenë harmonizimi i afateve kohore dhe specifikimeve teknike të tubacioneve. Memorandumi i nënshkruar dje mes Ministrisë së Ekonomisë dhe TAP është një tjetër hap, që garanton zhvillimin e këtyre projekteve edhe sa i përket IAP. “Zbatimi i këtij projekti do ta shndërrojë Shqipërinë në një vend të rëndësishëm dhe strategjik-energjetik, si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë shqiptare”, u shpreh Naço. Ndërkaq, ai ftoi investitorët e huaj që të investojnë në Shqipëri jo vetëm për potencialet që paraqet kjo e fundit, por edhe për faktin që investitorëve të huaj u garantohet një mbrojtje e mirë me ligjin e ri. “Shqipëria sot është një vend i konsoliduar politikisht dhe ekonomikisht. Ne kemi hartuar një ligj për mbrojtjen e investimeve të huaja në Shqipëri, i cili është një ligj i rëndësishëm për të gjithë investitorët, të cilëve u bëjmë thirrje që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri dhe ta shndërrojnë këtë vend në një vend të rëndësishëm energjetik”, u shpreh Naço.

Projektet

Gazsjellësi Trans-Adriatik tranziton nga Greqia, kalon në Shqipëri dhe përfundon në Itali, ka një gjatësi rreth 520 km. Investimi për këtë projekt është parashikuar të jetë mbi 1 miliard euro. Kurse gazsjellësi IAP fillon nga Spliti në Kroaci dhe përfundon në Fier. Do të ketë përsëri një gjatësi prej 516 kilometrash dhe mund të kërkojë një investim prej 580 milionë eurosh.

© Panorama.al

Te lidhura