
Drejt përfundimit procesi edhe për 25 dosje në Tiranë. Bashkia: Po përshpejtojmë procesin.
Basha, sot takim me ndërtuesit, jepen lejet e pëdorimit për 11 pallate.
Bashkia e Tiranës ka gati certifikatat e pronësisë për 1385 apartamente. Bëhet fjalë për 36 dosje të plota objektesh që do të pajisen me lejet e përdorimit. Burime të sigurta nga Bashkia na bënë me dije se sot pritet të zhvillohet një takim me Shoqatën e Ndërtuesve, gjatë të cilit do të ndahen lejet e përdorimit për 11 pallate me rreth 385 apartamente. Dokumentacioni për to do të dërgohet pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për hipotekim përfundimtar. Në kuadër të angazhimit për përshpejtimin dhe përmbylljen e procesit të miratimit të lejeve të përdorimit, Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë Bashkisë Tiranë ka iniciuar këtë takim me Shoqatën e Ndërtuesve, subjektet e ndërtimit të interesuara, si dhe për informim të publikut. Dokumentacioni është gati edhe për 1000 apartamente të tjera. “Nga ana e Bashkisë Tiranë janë kryer të gjitha kontrollet dhe janë të gatshme për të mbyllur procesin e miratimit të lejeve të përdorimit edhe rreth 25 dosje, të cilat kanë nevojë vetëm për angazhimin e subjekteve ndërtuese për plotësimin e dokumentacionit të domosdoshëm për pajisjen me këto leje”, sqaruan burimet. Sipas tyre, Bashkia e Tiranës, në ndjekje të planit të saj të punës, si dhe pas miratimit të akteve ligjore të hartuara në bashkëpunim me institucione të tjera si Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ka bërë të mundur vijimin me hapa të shpejtë të procesit të miratimit të lejeve të përdorimit. Leje përdorimi quhen lejet e shfrytëzimit në bazë të ligjit të ri të urbanistikës. Këto leje lëshohen pas shqyrtimit të dosjeve nga Bashkia e Tiranës, duke i hapur rrugë hipotekimit përfundimtar të banesave pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive.
Procedurat
Dy muaj më parë është publikuar udhëzimi i procedurave që do të ndiqen për t’u pajisur me lejen e shfrytëzimit. Sipas udhëzimit, do të regjistrohen objektet për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi, edhe pse është paraqitur kërkesë nga subjekti i interesuar pranë zyrës apo seksionit të urbanistikës të organit të qeverisjes vendore. Po kështu, do të jenë pjesë e këtij procesi objektet për të cilat nuk është lëshuar leje shfrytëzimi dhe nuk është paraqitur kërkesë për leje shfrytëzimi nga subjekti i interesuar pranë zyrës apo seksionit të urbanistikës të organit të qeverisjes vendore. Në rastet kur Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës konstaton se për objektet për të cilat janë lëshuar leje ndërtimi, janë paraqitur kërkesa për lëshimin e lejeve të shfrytëzimit dhe këto të fundit nuk rezultojnë të jenë lëshuar, do të procedohet sipas problematikës që vërehet. “Kur konstatohet se kërkesa për leje shfrytëzimi nuk është trajtuar për mungesë të dokumentacionit që vërteton kryerjen e pagesave të taksave apo tatimeve për objektin, Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës vijon procedurat e lëshimit të lejes së shfrytëzimit brenda 30 ditëve”, thuhet në udhëzim.
lejet e perdorimit
Ndahen lejet sot për:
• 385 apartamente banimi
• ambiente tregtare
• ambiente shërbimi
• ambiente parkimi
Sipërfaqja totale 70 000 m2 ndërtimGati dokumentacioni për:
• 25 dosje të plota:
• 1000 apartamente banimi
• ambiente tregtare
• ambiente shërbimi
• ambiente parkimi
Sipërfaqja totale 175 000 m2 ndërtim
Regjistrimi
Në rastet kur Drejtoria e Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës konstaton se për objektet e ndërtuara me leje ndërtimi janë lëshuar lejet e shfrytëzimit, brenda 5 ditëve nga ky konstatim, informon Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kjo e fundit, Zyra, brenda 30 ditëve nga data e administrimit të lejeve të shfrytëzimit dhe të lejes së sheshit të ndërtimit, verifikon nëse objektet për të cilat janë lëshuar leje shfrytëzimi janë të regjistruara. Kur konstaton se objekti për të cilin është lëshuar leja e shfrytëzimit nuk është regjistruar, i kërkon Drejtorisë së Urbanistikës në Bashkinë e Tiranës përcjelljen e dokumentacionit të parashikuar.
lejet e ndërtimit
Në total, nga viti 2001 deri në vitin 2009, Bashkia e Tiranës ka lëshuar 680 leje ndërtimi. Prej tyre 256 janë të rregullta, ndërsa 424 të tjera janë me probleme. Janë pajisur me leje shfrytëzimi 256 subjekte. Kjo do të thotë që subjekti ka përfunduar të gjithë procedurën ligjore në Bashki dhe dosja i është deleguar ZRPP-së për hipotekim. Në proces shqyrtimi janë 41 objekte, çka do të thotë që subjekti është në proces ndërtimi apo në fazën përfundimtare dhe nuk janë përfunduar të gjitha aktet e kontrollit. Në këtë hark kohor është bërë ndërprerja e procedurave për 43 objekte.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











