Gardistët u filmuan duke qëlluar, armët “të pastra”

May 30, 2011 | 10:40

Prokuroria ka dyshim se diçka nuk shkon me ekspertizat e armëve të sekuestruara pranë Gardës së Republikës, në kuadër të hetimeve për vrasjen e 4 personave më 21 janar.Një numër prej 60 armësh, pistoleta të kalibrit 9 mm, i janë nënshtruar ekzaminimeve me predhën që vrau Faik Myrtajn, por plumbi nuk përputhet me asnjërën prej tyre. Krahasimi i predhës në fjalë me pistoletat është bërë pas ekspertizës krahasuese të plumbit në fjalë me rreth 75 armë automatikë MP-5 të përdorur nga Garda e Republikës në shërbim pranë Kryeministrisë, në Tiranë. Një predhë, ajo që goditi Ziver Veizin, është përjashtuar nga ekspertimet, pasi u përputh me armën automatik që mbante gardisti Agim Llupo. Për viktimën tjetër, Hekuran Deda, nuk është arritur të gjendet predhë, pasi plaga e tij ka qenë tejshpuese. Ndërkohë, për viktimën e tretë, Aleks Nika, predha ka mbërritur pak kohë më parë nga Turqia, ku ai gjeti dhe vdekjen, por plumbi në fjalë është konsideruar nga specialistët si i paekspertueshëm. Rrjedhimisht, grupit të hetimit i ka mbetur për krahasim vetëm predha që vrau Faik Myrtajn. Plumbi që ka goditur këtë person, sipas hetuesve, nuk është përputhur me 75 automatikët e sekuestruar te Garda, por as me 60 armët pistoleta të sekuestruara në të njëjtin institucion. Referuar librave të shërbimit, këto kanë qenë armët që kanë mbajtur në shërbim më 21 janar efektivat e Gardës që ishin vendosur pranë Kryeministrisë, në Tiranë.

Mospërputhjet
Pikërisht mospërputhja e predhës së Faik Myrtajt, i ka bërë hetuesit të dyshojnë se diçka nuk shkon me ekspertimin e armëve. Dyshimi kryesor është te pistoletat për dy arsye. Armët e vogla pistoleta, u sekuestruan vonë tek Garda e Republikës, dy javë apo një muaj pas ngjarjeve të 21 janarit. Arsyeja e dytë është se, grupi i hetimit ka arritur të administrojë disa regjistrime filmime që i paraqesin gardistët, duke qëlluar me pistoleta. Megjithatë, ekspertizat nuk përputhen, pikërisht me këto pistoleta që janë sekuestruar nga grupi i hetimit në zyrat e Gardë së Republikës, në Tiranë. Për këtë shkak, Prokuroria ka dyshime serioze në lidhje me ecurinë e ekspertizave, duke mos përjashtuar ndonjë ndërhyrje tek armë të veçanta. Pak ditë pas 21 janarit, Policia e Shtetit i akuzoi prokurorët e çështjes se kishin marrë “në xhepa” predhat e gjetura në trupat e të vrarëve më 21 janar. Policia e konsideroi shkelje procedurale një fakt të tillë, ndërsa Prokuroria, jo zyrtarisht, e komentoi këtë si një kujdes për të ruajtur provat. Organi i akuzës kundërshtoi se kishte administruar në xhepa predhat, gjetur në trupat e viktimave, duke pohuar se çdo veprim i kryer ishte filmuar dhe fotografuar.

 

Trazhgim Sokolaj

© Panorama.al

Te lidhura