
Marie Ramaj, truproja e kryeprokurores, denoncon në Polici vjedhjen.
Vidhet arma e shërbimit dhe lap-topi, dy gjurmë në shtëpi.
Grabitet banesa e gardistes truprojë të kryeprokurores Ina Rama. Persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur shtëpinë e punonjëses së Gardës së Republikës, Marie Ramaj. Shtëpia e saj ndodhet në rrugën “Besa” në Tiranë. Gjatë vjedhjes, autorët, sipas Policisë, kanë marrë pistoletën e shërbimit tip “Bereta” dhe një lap-top në pronësi të gardistes. Ngjarja ka ndodhur paraditen e së enjtes, kur në banesën e bashkëshortëve Marie dhe Kastriot Ramaj, të dy punonjës të Gardës së Republikës, nuk ndodhej njeri. Vajza e tyre ndodhej në shkollë, ndërsa vetë gardistët ishin në shërbim. Burime nga Policia thanë se autorët e ngjarjes dyshohet të kenë hyrë nga dritarja e shtëpisë përdhese të Ramajt, të cilën mund ta kenë vëzhguar prej kohësh dhe në momentin kur nuk ka pasur njeri brenda, kanë realizuar vjedhjen. Grabitja është zbuluar pasi truproja e prokurores së Përgjithshme është kthyer në shtëpi, pas mbylljes së orarit zyrtar. Kur ka gjetur rrëmujë në shtëpi, gardistja Ramaj ka filluar të dyshojë për një grabitje të mundshme dhe menjëherë ka nisur të kontrollojë me imtësi shtëpinë. Ajo ka zbuluar që mungonin lap-ropi dhe pistoleta e saj personale e shërbimit, e lëshuar nga Garda e Republikës.
KALLEZIMI
Pasi ka konstatuar vjedhjen që kishte ndodhur në banesën e saj, Marie Ramaj ka njoftuar policinë përmes Sallës Operative dhe në vendin e ngjarjes, te kryqëzimi i rrugës “Besa” me rrugën “Bexhet Nelku”, kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr. 4. Pasi është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, janë fiksuar disa gjurmë gishtash që dyshohet të jenë të autorëve. Policia ka nisur procedim penal për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve. Në kallëzimin e saj, Marie Ramaj, 38 vjeçe, punonjëse e Gardës së Republikës në sigurimin fizik të prokurores së Përgjithshme, ka shpjeguar se autorët i kanë vjedhur një kompjuter lap-top dhe armën personale të shërbimit, pistoletë tip “Bereta”, me nr. BO 2002, lëshuar nga Garda e Republikës. Ndërsa arma tjetër që ka në përdorim bashkëshorti i truprojës së Ina Ramës, që po ashtu është oficer i Gardës, nuk ndodhej në shtëpi, pasi ai e kishte me vete në shërbim. Policia e Komisariatit Nr. 4 ka nisur hetimet për ngjarjen, më qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Sipas burimeve, gjurmët e fiksuara në banesën e oficeres së Gardës së Republikës janë dërguar për verifikim në Laboratorin e Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme. Policia e Tiranës ka thënë se pas hetimeve të para, materialet hetimore janë dërguar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës. Dyshimet janë se autorët e ngjarjes kanë qenë dy persona, të paktën referuar gjurmëve në vendngjarje.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











