Një gjykatë turke ka urdhëruar paraburgimin e komedianit Deniz Goktas, në pritje të gjyqit me akuzat për fyerje të Presidentit Tayyip Erdogan dhe vlerave fetare, sipas një dokumenti gjyqësor të parë nga ‘Reuters’.
Goktas, i njohur për performancat e tij në stand-up që mbledhin miliona shikime në internet, u arrestua në aeroportin e Stambollit të hënën, ndërsa kthehej nga një udhëtim jashtë vendit.
“Deniz Goktas u arrestua në aeroportin e Stambollit më 2 korrik”, tha zyra e prokurorit të Stambollit në një deklaratë dje, duke shtuar se kishte marrë “185 ankesa” në lidhje me performancat e komedianit dhe se kishte nisur një hetim për “fyerje publike të vlerave fetare të Turqisë”.
Në shfaqjet e tij, komediani hedh një vështrim satirik mbi zhvillimet politike të vendit, me referenca ndaj Presidentit Erdogan dhe kundërshtarit të tij kryesor, kryetarit të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, arrestimi i të cilit në mars 2025 shkaktoi protesta masive.
Një shfaqje komedie stand-up që ai performoi në Stamboll më 1 qershor u ngarkua si një video 90-minutëshe në YouTube më 24 qershor dhe deri më tani ka pasur gati nëntë milionë shikime.
Zyra e Kryeprokurorit të Stambollit njoftoi më parë këtë javë se kishte nisur një hetim për “gjuhë fyese që përbën vepër penale” në përmbajtjen e ndarë nga Göktas në mediat sociale.
Prokurorët thanë se hetimi lidhej me akuzat se Göktas fyeu vlerat fetare gjatë një shfaqjeje stand-up në Stamboll më 1 qershor, në të cilën ai bëri referenca për Erdoganin, Kuranin dhe Imamoglun.
Fyerja e presidentit është ndër akuzat kundër tij, tha avokati i komedianit, Metin Aslan, në një postim në mediat sociale.
Shumë anëtarë të Partisë AK në pushtet të Erdoganit dhe këshilltarë të presidentit e kanë kritikuar Göktasin, duke e akuzuar atë për tallje të Erdoganit dhe Kuranit.
Në një deklaratë për policinë, komediani i mohoi akuzat, duke thënë se shakatë e tij nuk ishin një fyerje për vlerat fetare apo Kuranin, sipas rrjetit televiziv Haberturk. Ai tha gjithashtu se referenca e tij ndaj Erdoganit si “diktator” ishte një përcaktim politik dhe jo një fyerje.
Pas spekulimeve se ai ishte larguar nga Turqia për të shmangur ndjekjen penale, Göktas tha në një postim më parë këtë javë se kishte udhëtuar jashtë vendit për pushime dhe kishte ndërmend të kthehej.
“Planifikoj të kaloj shumë vite të tjera në Turqi dhe nëse ka një situatë që kërkon praninë time, do të kthehem me fluturimin tjetër”, shkroi ai.
Komediani i lindur në Ankara filloi karrierën e tij në stand-up në një klub të Stambollit në vitin 2019. Që atëherë ai ka performuar në të gjithë Evropën dhe SHBA-në.
© Panorama.al












