“S’ka prova për 4 protestuesit e arrestuar”- Avokati: Truproja e Ulsi Manjës i theu hundën qytetarit! Gent Progni u godit me shkelm nga polici pas ndalimit, do bëhet kallëzim

Jul 3, 2026 | 16:40

Avokati Lulzim Tanushi denoncoi sjelljen e Policisë së Shtetit me dhunën e ushtruar ndaj protestuesve të shoqëruar dhe arrestuar, duke thënë se janë mbajtur pa asnjë provë dhe akuzat e ngritura nuk janë të bazuara.

lulzim tanushi

I ftuar në studion e “News24” ditën e sotme, juristi shpjegoi procedurat, duke vënë në dukje arrestimet e paligjshme të 4 prej protestuesve, teksa shtoi se do të depozitohej edhe kallëzim penal për të gjithë abuzuesit që ushtruan dhunë, përfshi truprojat e ish-ministrit Ulsi Manja.

Mes të dhunuarve sipas tij është edhe aktivisti Gent Progni, i cili u godit pa mëshirë nga shoqëruesit e Manjës. Sipas tij, arrestimet janë bërë me urdhër politik, pasi edhe hetimet e kryera kanë qenë tendencioze.

“Asnjë nga katër personat e arrestuar nuk ka kryer vepër penale. Njëri nga protestuesit ishte dhunuar dhe dëmtuar. Ne prisnim lirimin e tyre në Komisariatin nr. 4, por ata kaluan në procedurë tjetër, duke thënë se janë arrestuar pas shoqërimit, ndodhi një ndryshim penal. U thirrën për dëshmi, por kaluan në status të arrestuari. Nuk kishte prova, ishte në kundërshtim me ligjin mbajtja e tyre, edhe pse pretendonin se do mbaheshin për 12 orë, edhe pse ligji e ka 5 orë. Kjo tregon se ishte politike, ishte tendencioze, mënyra se si u mor dëshmia, se si ndikonte shefi i komisariatit hetimin. Që ky proces është politik kjo është e qartë sepse këta persona nuk kanë kryer asnjë vepër penale”, tha avokati mes të tjerash.

Më tej ai shpjegoi se veprat penale të ngritura nuk janë të bazuara në prova.

“Vepra për të cilën ata akuzohen është prishje e qetësisë publike, që nuk vërtetohet sepse personat ishin në lokal, shkatërrimi i pronës kur nuk ka prova, apo kundërshtimin e punonjësit e policisë kur rezulton se ishin badiguardët që goditën protestuesit”.

Tanushi akuzoi edhe deputetin Ulsi manja për urdhrin e dhunës ndaj qytetarëve e veçanërisht aktivistit Genti Progni. Ai tha gjithashtu se truproja e ish-ministrit i theu hundën edhe një qytetari tjetër.

“Ulsi Manja ofendoi dhe shau protestuesit në lokal, ishin debate mes palëve, pati akuza për hajdut, ëhstë goditur edhe me vezë, kurse badiguardët e zotit Manja dhunuan protestuesit dhe Gent Prognin në mënyrë barbare. Truproja e zotit Manja i theu hundën edhe qytetarit. Edhe protestuesi i gjakosur që shihet në pamjet filmike ka të drejtë të bëjë kallëzim penal në Prokurori, edhe pse ai nuk e ka bërë, por mund ta bëjë. Ai protestues aty është goditur, dhunuar dhe sot që flasim nuk është marrë akt ekspertize për atë dhunë dhe nëse e vonon më shumë ti nuk ke prova ekspertimi ligjore se çfarë shenjash dhune ke lënë, sepse nuk është njëlloj kur i dokumenton shenjat që në momentin e parë”, nënvizoi avokati.

Sipas Tanushit, edhe një prej efektivëve të policisë ushtroi dhunë ndaj Prognit, edhe pse ai ishte i arrestuar dhe nuk po bënte asnjë kundërshtim.

Për këtë rast dhe të tjerët, do të depozitohet kallëzim penal.

“Edhe Genti është grushtuar, ai uli duart me idenë e arrestimit, ata e mbërthyen dhe e goditën më fortë. Por jo vetëm kaq, por Genti pas arrestimit është goditur me shkelm pas shpine nga një punonjës policie, edhe pse ai ishte i ndaluar. Pamjet tregojnë se ata janë protestues paqësorë. Do bëhet edhe kallëzim penal për punonjësit e policisë që ka shkelur ligjin. Nuk janë të gjithë efektivët kështu, ka edhe policë të ndershëm. Edhe disa persona që rrinin ulur janë dhunuar nga policia. Sa për ministrin e Brendshëm Lamallari, ai flet politikisht”, tha ai.

Avokati u shpreh se protesta tani e ka vrarë frikën dhe se nuk i ngjan aspak atyre partiake.

“Kjo protestë i ka frikësuar sepse nuk është partiake, kjo është një protestë ndryshe nga ato partiake. Por si mund të thuhet se ka banda kur aty ka edhe fëmijë në shesh. Taulant Balla i quan banda kriminale, por aty duket qartë se ka protestues paqësor, deri edhe fëmijë”, argumentoi ai.

Tanushi vuri në dukje edhe tendencën e Policisë për t’i mbajtur përfaqësuesit mbrojtës të protestuesve larg Komisariateve, që të mos zbuloheshin shkeljet ligjore të kryera prej tyre.

Por theksoi se po e ndjek rastin shqetësues edhe me Komitetin e Helsinkit.

“Trajtimi në Komisariat i protestuesve ka qenë njerëzor, normal, u janë dhënë edhe shishe uji, kam kërkuar edhe kontakte si avokat. Shkova te “Mine Peza” dhe më thanë është plot, hajde më vonë, shkova e më vonë, thanë takimet janë mbyllur takimet, sepse ata nuk e dinë ligjin, ishte tendencioze që të mos bënim takime me ta. Thanë jo po i ka marrë Avokati i Popullit, por ne nuk e lamë, kam marrë kontakte edhe me Komitetin e Helsinkit, po e ndjekim nga afër, e kam ngritur si shqetësim”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura