Zbulohet në Britani një kopje tepër e rrallë e Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-së

Jul 3, 2026 | 16:23

Një kopje jashtëzakonisht e rrallë e Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara është zbuluar në Arkivat Kombëtare të Britanisë, në Kew.

ipa-eggrafo

Dokumenti historik u gjet në muajin shkurt nga një vullnetar, i cili po sistemonte dokumentet e oficerëve të Marinës Mbretërore Britanike nga periudha e Luftës Amerikane për Pavarësi.

Bëhet fjalë për një nga vetëm 11 kopjet e shtypura në Exeter të New Hampshire në korrik të vitit 1776, me qëllim përhapjen e lajmit për pavarësinë e kolonive amerikane. Pak kohë më vonë, kjo kopje përfundoi në duart e britanikëve.

Vullnetari Michael Scarr përshkroi momentin kur kuptoi se çfarë kishte zbuluar, duke thënë se ndjeu një përzierje emocionesh mes ankthit dhe entuziazmit.

“I thirra menjëherë përgjegjësit tim dhe i thashë: ‘Mendoj se duhet të vish t’i hedhësh një sy kësaj’,” deklaroi ai për BBC.

Capture

Drejtori i Arkivave Kombëtare, Saul Nassé, e cilësoi zbulimin si “të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se bëhet fjalë për një kopje tepër të rrallë të Deklaratës së Pavarësisë, e cila u gjet jo në Shtetet e Bashkuara, por në Britani.

Dokumenti ishte sekuestruar nga Marina Mbretërore Britanike në prag të Krishtlindjeve të vitit 1776, kur anija luftarake HMS Raisonable kapi anijen amerikane Dalton pranë brigjeve të Portugalisë, pas një ndjekjeje që zgjati shtatë orë.

Sipas Dr. Graham Moore nga Arkivat Kombëtare, kjo është një nga versionet më të rralla të Deklaratës së Pavarësisë, pasi kopjet e asaj kohe nuk ishin krijuar për t’u ruajtur, por për t’u shpërndarë sa më shpejt në kolonitë amerikane.

Kopja u gjet e palosur mes dokumenteve të kapitenit Thomas Fitzherbert. Fillimisht ajo u dërgua në Plymouth në janar të vitit 1777 dhe më pas në Whitehall të Londrës.

Për shekuj me radhë dokumenti mbeti praktikisht i “fshehur” në arkivat shtetërore, pasi oficeri i Marinës Mbretërore që e kishte regjistruar në atë kohë e kishte përshkruar thjesht si “një dokument tjetër”, pa e kuptuar vlerën e tij historike.

Dokumenti tashmë i është nënshtruar procesit të konservimit, përmes stabilizimit të letrës dhe restaurimit të dëmtimeve të vogla, në mënyrë që të mund të studiohet dhe të ekspozohet për publikun.

Ai do të prezantohet në ekspozitën “Revolution 250: America’s Independence Story, 1763–1783”, e cila do të zhvillohet në Arkivat Kombëtare të Britanisë.

© Panorama.al

Te lidhura