Fullani rizgjidhet Guvernator, edhe me dy vota socialistësh

Nov 18, 2011 | 9:43

Kreu i ri i Bankës së Shqipërisë merr 75 vota pro në Kuvend. Opozita voton kundër. Përveç maxhorancës votojnë pro edhe Blushi e Malaj

Në procesin e votimit, i cili erdhi pas konsensusit mes PD-së dhe PS-së për ndryshimet në Kodin Hekurudhor dhe atë Detar, u vu re se dy deputetë të opozitës votuan pro kandidatit të mbështetur nga maxhoranca. Ben Blushi dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, bashkuan votat me maxhorancën, ndryshe nga qëndrimi i kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili pak ditë më parë tha se përzgjedhja e Fullanit në këtë pozicion ishte zgjedhje e gabuar e Presidentit. Në votim 51 deputetë të Partisë Socialiste votuan kundër, ndërkohë që u regjistrua edhe një votë abstenim, ajo e Eduard Shalsit, i cili tha në prononcimin për gazetën se kishte votuar kundër, por gabimisht teknika e kishte llogaritur votën e tij si abstenim. Ardian Fullani ka marrë në këtë mënyrë mandatin e dytë shtatëvjeçar për të drejtuar Bankën e Shqipërisë. Ai u propozua si kandidat i Këshillit të Ministrave së bashku me Elisabeta Gjonin dhe Petraq Milon për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës. Në të njëjtën kohë, në një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve ishte vendosur që tri forcat kryesore të Parlamentit, PD-ja, PS-ja dhe LSI-ja, të propozonin nga një emër për ta votuar me konsensus. Demokratët propozuan Dhori Kulen, socialistët Ermelinda Meksin, ndërsa LSI-ja Eva Golemin. Në seancën e dy javëve më parë, deputetët e maxhorancës dhe të opozitës bashkuan votat për tri kandidaturat e propozuara prej tyre, ndërsa tre kandidatët e propozuar nga qeveria kaluan vetëm me votat e maxhorancës. Pas këtij votimi, Presidenti dekretoi Ardian Fullanin për guvernator, çka u mbështet nga maxhoranca. Në të njëjtën ditë kur kreu i shtetit firmosi dekretin, Rama reagoi përmes një deklarate për shtyp duke thënë paralajmëruar votën kundër të opozitës.

Blushi s’komenton votën “pro”
Njëri prej deputetëve të Partisë Socialiste që kanë votuar pro kandidaturës së Ardian Fullanit për postin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ishte Ben Blushi. Megjithatë, i kontaktuar nga gazeta ai nuk ka pranuar ta komentojë votën pro kësaj kandidature. Partia Socialiste kishte vendosur të votonte kundër dekretit të Presidentit teksa ka kritikuar disa herë Fullanin, veçanërisht për ndihmën, sipas saj, që i dha qeverisë kur bleu për 30 milionë euro godinën e hotel “Dajtit” për ta shfrytëzuar për zyra.

Shalsi: Votova kundër
“Nuk është votë abstenim, unë jam duke u sqaruar teknikisht se çfarë ka ndodhur. Unë kam votuar kundër, nuk kam abstenuar. Për këtë kam kontaktuar me punonjësit e Parlamentit që merren me elektronikën që të testojnë aparaturat. Ka pasur raste në Parlament kur shtyp butonin dhe nuk shkon mesazhi, por që ta shtypësh dhe të dalë votë tjetër, kjo është e çuditshme. Si nënkryetar i Grupit, para votimit unë instruktova deputetët që janë te Veprimtaria Prodhuese të votojnë kundër”, tha mbrëmë Shalsi për gazetën.

Malaj: Nuk e kam votuar z.Fullani
Deputeti i PS-së që ka votuar pro kandidaturës së Fullanit, Arben Malaj, nuk komenton qëndrimin e tij në Parlament, por shprehet se në Komision ai ka votuar kundër emrit të Guvernatorit kur erdhi si propozim për Bordin e Bankës. “Zotin Fullani nuk e kam votuar në Komision si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ndërsa oponenca ime ndaj performancës, punës dhe rezultateve të Bankës së Shqipërisë nën drejtimin e zotit Fullani ka qenë vazhdimisht në përputhje të plotë me qëndrimet e PS”, tha Malaj.
ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura