Kredia e re është e lidhur në mënyrë të ngushtë me fitimin e bankave dhe me stabilitetin e tyre. Në këtë kuadër, ky sektor duhet të ndihmohet në ekzekutimin e kolateraleve.Ashtu siç ka ndodhur muajt e fundit, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh dje se ekzekutimi i kolateralit vijon të mbetet një problem i madh për bankat në vend dhe në këtë pikë duhet të gjendet një zgjidhje dhe bashkëpunim me sistemin gjyqësor.
“Duhet të kemi një gjë parasysh kur e krahasojmë Shqipërinë me vendet e rajonit. Duhet të jemi koshientë që ekzistojnë akoma vulnerabilitete për sistemin bankar dhe financiar përsa i përket regjistrimit të kolateralit dhe ekzekutimit të tij, që është bërë një problem madhor dhe kërkon ndërhyrje të rëndësishme strukturore. Në qoftë se bankat nuk zbatojnë ekzekutimin e kolateralit, merr fund aktiviteti kreditues i bankës”, tha Fullani. Ndërkaq, sipas tij, kjo është një çështje që Banka e Shqipërisë e ka ngritur jo pak herë dhe se së fundi pritet që të zhvillohet edhe një forum me Ministrinë e Financave, atë të Drejtësisë dhe gjithë aktorët e tjerë, për të gjetur mënyrat sa më efektive, qoftë dhe ligjore, në mënyrë që kolaterali të bëhet i ekzekutueshëm. “Në një kohë që ne i kërkojmë sistemit bankar, duhet medoemos t’i japim atij gjithë parakushtet që ai të punojë i qetë dhe të prodhojë fitim, sepse prodhimi i fitimit të sistemit bankar do të thotë më shumë mundësi për sistemin financiar dhe më shumë mundësi për rritje të qëndrueshme të aktivitetit bankar dhe financiar”, nënvizoi guvernatori.
Raporti për kredinë
Po dje, Banka e Shqipërisë publikoi edhe raportin për tremujorin e parë të vitit lidhur me ecurinë e kreditimit në vend. Kështu, për periudhën janar-mars është vënë re një rritje e lehtësimit të standardeve të kredisë si për bizneset, ashtu dhe për individët, dhe kjo për ekspertët e bankave lidhet me konkurrencën. Ndërkaq, në anën shtrënguese kanë ndikuar kreditë me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Bizneset kanë përfituar gjatë tremujorit të parë kredi në shuma më të mëdha dhe përgjithësisht për kapital qarkullues apo financim të inventarëve. Edhe për individët, sikurse për bizneset, standardet kredituese janë lehtësuar në tremujorin e parë 2011, por ky lehtësim ka qenë më i ngadaltë se tremujorin e katërt të 2010-s. Por, në anën tjetër, në politikën shtrënguese të kredive për individët kanë qenë një sërë faktorësh që kanë ndikuar. “Ulja e maturitetit maksimal të kredisë, ulja e raportit këst ndaj të ardhurave, ulja e madhësisë së kredisë, si dhe rritja e kërkesës për kolateral u përdorën për zbatimin e një politike shtrënguese të standardeve të kredisë për individët”, thuhet në raport. Parashikimet e ekspertëve për kredinë e individëve janë pozitive lidhur me lehtësimin e kushteve të kreditimit për blerjen e banesave.
6 per qind
do të ishte niveli i kredisë së keqe në vend nëse do të ekzekutohej kolaterali për totalin e kësaj kredie, e cila deri në fund të vitit 2010 arriti 13.6 për qind, apo afërsisht 14 për qind. Ndërkohë që sipas raportit të muajit mars të këtij viti, kredia me probleme ka arritur në nivelin 14.42 për qind
Pritshmëritë
Raporti i Bankës së Shqipërisë, vëren se për tremujorin e dytë të vitit 2011, ekspertët e bankave presin një frenim të aktivitetit kreditues në lekë dhe në valutë dhe një rritje të interesit. “Balancat përkatëse edhe pse ende në nivel pozitiv, shënuan rënie respektivisht me rreth 23.3 dhe 15.3 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ekspertët e bankave sinjalizojnë për rritje të normave të interesit të aplikuara mbi kreditë që do të akordohen në tremujorin e dytë të vitit 2011” thuhet në raportin e BSH-së.
Kërkesa
Nxitja kryesore e kërkesës për kredi në valutë për bizneset ka vijuar të mbetet edhe në tremujorin e parë të vitit: diferenca në normat e interesit dhe burimi i të ardhurave në valutë. Ndërkohë që edhe për individët, burimi i të ardhurave ka qenë sërish nxitësi kryesor për kërkesën e kredisë në valutë. “Faktorët që lidhen me diferencën në normat e interesit dhe çmimet e mallrave të blera, të shprehura në monedhë të huaj, kanë vijuar të japin një kontribut të rëndësishëm në kërkesën për kredinë në valutë”.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











