FSHF ka bërë të ditur sot se trajneri i Kombëtares, Silvinjo, bashkë me stafin e tij, në këto javë të para të vitit, ka qenë me misione monitorimi të futbollistëve kuqezi nëpër Europë. Gjithçka normale, që bën pjesë në punën e një trajneri të një ekipi kombëtar, po të mos ishte për lojtarët dhe ndeshjet që FSHF ka raportuar se ai ka ndjekur.

Fillimisht bëhet e ditur se ai ka ndjekur ndeshjet e kampionatit shqiptar, ku fokusi duket se është te Dinamo pasi janë ndjekur ndeshjet e saj me Vllazninë dhe me Egnatian. Më pas bëhet e ditur në mënyrë të çuditshme se Silvinjo dhe stafi i tij kanë ndjekur në Portugali sfidën e Ligës së Europës, Porto – Rejnxhërs “për të vlerësuar nga afër paraqitjen e mesfushorit kuqezi Nedim Bajrami”.
Cila është çudia? Nedim Bajrami nuk është në listën e Europës për Rejnxhërs dhe as nuk ka udhëtuar drejt Portugalisë për këtë sfidë. Ndaj Silvinjo dhe stafi i tij, ka udhëtuar drejt Portugalisë për arsye të tjera, ndoshta edhe për të parë çfarë forme kanë Kvior dhe Bednarek të Polonisë që luajnë në radhët e Portos, por kurrsesi për të ndjekur Bajramin, siç raportoi FSHF. Ose përndryshe kjo do të thotë se trajneri dhe stafi i tij nuk i kanë idetë e qarta mbi situatën e lojtarëve në klubet përkatëse.
E ndërsa në Europë ka shumë emra të rinj që po shkëlqejnë e që meritojnë më shumë vëmendje, Silvinjo dhe stafi i tij kanë zgjedhur të shohin ndeshjen mes Lacios dhe Atalantës, ku luajnë dy lojtarë që të gjithë i njohin shumë mirë, si Hysaj e Gjimshiti, me vetëm këtë të dytin që zbriti në fushën e lojës. Raportohet se me Gjimshitin kishte një takim atje, ndërsa me Hysajn u takuan… në Tiranë.

NJOFTIMI I PLOTË I FSHF
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, së bashku me stafin e tij teknik, kanë intensifikuar punën në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e fazës “play-off” të Botërorit 2026 ndaj Polonisë.
Gjatë javëve të fundit, stafi teknik kuqezi ka ndjekur nga afër disa ndeshje të kampionatit “Abissnet Superiore”, për të vëzhguar lojtarët shqiptarë që aktivizohen në elitën e futbollit vendas. Mes takimeve të ndjekura kanë qenë Dinamo City – Vllaznia dhe Egnatia – Dinamo City.
Paralelisht me ndjekjen e kampionatit vendas, Silvinjo dhe stafi teknik kanë qenë të pranishëm edhe në disa takime në arenën europiane. Në Portugali, ata ndoqën sfidën e Europa League, Porto – Rangers, për të vlerësuar nga afër paraqitjen e mesfushorit kuqezi Nedim Bajrami.
Ndërkohë, në Itali, stafi teknik ishte i pranishëm në ndeshjen Lazio – Atalanta, ku aktivizohen dy nga titullarët e Kombëtares, Berat Gjimshiti dhe Elseid Hysaj.
Gjatë qëndrimit në Itali, trajneri zhvilloi edhe një takim me kapitenin Berat Gjimshiti, ndërsa në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit priti në një vizitë Elseid Hysaj, në kuadër të komunikimit me kapitenët e ekipit përpara ndeshjes së “Play-Off”-it.
Në javët në vijim, stafi teknik ka programuar të ndjekë nga afër edhe disa lojtarë të tjerë kuqezi në ndeshjet e tyre me klubet respektive, në mënyrë që të vlerësohet në detaje gjendja fizike dhe forma e secilit përpara sfidës së rëndësishme të “Play-Off”-it.
Përgatitjet vijojnë me intensitet të lartë, ndërsa fokusi mbetet maksimal për arritjen e objektivit në përballjen ndaj Polonisë.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











