Policia franceze po ruan ndërtesën e gazetës së përjavshme satirike, “Charlie Hebdo”, pas publikimit të disa karikaturave të profetit Muhamed. Publikimi i tyre vjen në një kohë kur e gjithë bota islame është ndezur nga protestat e dhunshme kundër publikimit të një filmi blasfemik, realizuar në Kaliforni, “Pafajësia e myslimanëve”. Në karikaturat e fundit, profeti shfaqet edhe lakuriq. Botuesi i gazetës, një karikaturist i njohur me emrin Charb, tha se imazhet do të shokojnë ata që duan të jenë të shokuar. Që të hënën, faqja online e gazetës është bllokuar. Ministria e Jashtme e Francës ka urdhëruar rritjen e masave të sigurisë në misionet diplomatike në botë, nga frika e reagimit të mundshëm nga myslimanët e ofenduar. Kryeministri francez, Zhan Mark Ero, ka kërkuar përgjegjshmëri dhe ka ndaluar manifestimin kundër filmit antiislam, të planifikuar për të shtunën. “Nuk ka arsye që të lejojmë të hyjnë në vendin tonë konflikte që s’kanë të bëjnë fare me ne”, tha ai për radion RTL. Ero e cilësoi publikimin e karikaturave si pjesë të lirisë së fjalës dhe “kushdo që e ndjen veten të ofenduar mund t’i drejtohet gjykatës”. Franca është vendi me komunitetin më të madh islamik në Europë. Të dhënat tregojnë se në këtë vend jetojnë të paktën 4 milionë myslimanë.











