Kombëtarja e Francës ka shfrytëzuar paraditen e djeshme për të bërë një “stërvitje” të veçantë dhe mjaft relaksuese. Në prag të ndeshjes me Shqipërinë, trajneri Lorent Blank e dërgoi dje skuadrën e tij në malin e Dajtit për të bërë një shëtitje. Kështu, francezët jo vetëm kanë pushuar dhe shijuar mrekullinë panoramike që ofron Dajti, por edhe janë bërë gati për ndeshjen e sotme duke bërë vrapime të lehta. Kombëtarja ka përdorur natyrisht teleferikun për të shkuar në Dajt, ku ka qëndruar për disa orë duke iu larguar disi edhe të nxehtit të kryeqytetit. Pasdite, skuadra e Blank ka bërë një seanca normale stërvitore në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ku do të luhet edhe takimi i sotëm. Në stërvitje ka marrë pjesë e gjithë skuadra, përfshi këtu edhe Karim Benzemanë, i cili patir një dëmtim të lehtë në kavilje në stërvitjen e ditës së mërkurë, para se të vinte në Shqipëri. Gjithsesi, aktivizimi i tij ndaj Shqipërisë është i sigurt. Përfaqësuesja franceze do qëndrojë në Tiranë deri ditën e hënë, ku nga më pas do të udhëtojë drejt Rumanisë për ndeshjen kualifikuese të radhës, ndërkohë gjatë këtyre ditëve ata do të shfrytëzojnë mundësitë që ofron kryeqyteti shqiptar për t’u përgatitur si duhet. Franca do të zhvillojë edhe dy seanca të tjera stërvitore, të shtunën dhe të dielën në stadiumin “Qemal Stafa”, para se të udhëtojë drejt Bukureshtit. Kujtojmë se dy transfertat e radhës ndaj Shqipërisë dhe rumunëve do japin edhe një ide nëse Franca do të mund të kualifikohet menjëherë për në Europianin e 2012-s, pa pasur shumë nevojë për rezultat në dy takimet e fundit që do luhen në muajin tetor.
Policia
Nëpërmjet një komunikimi për mediat, policia e Tiranës ka treguar masat për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Francë. Gjatë ditës së sotme, nga ora 14:00 deri në mesnatë do të bllokohen rrugët që të çojnë drejt stadiumit dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në sheshin “Italia” dhe pranë stadiumit. Policia e kryeqytetit bëri të ditur se do të ushtrohet kontroll i imtësishëm i tifozëve që do të hyjnë në stadium dhe për këtë do të instalohen disa filtra kontrolli, që do të pengojnë futjen e sendeve të forta në stadium. Interesimi për ndeshjen ka qenë shumë i madh dhe “Qemal Stafa” pritet të jetë plot e përplot.











