Në seancën e sotme parlamentare, mes tensioneve dhe debateve u votuan ndryshimet e fundit në Qeveri, por ajo që ra në sy ishte vota kundër e dy deputetëve të Partisë Demokratike, për shkarkimin e Elisa Spiropalit nga posti i ministres së Jashtme.

Nga një vëzhgim te Gazetes Panorama Online në tabelën e votimit rezulton se Jozefina Topalli dhe Sali Berisha kanë votuar kundër shkarkimit të Elisa Spiropalit.
Nuk dihet se kush e ka shtypur butonin e kreut të PD-së, Sali Berisha, pasi ky i fundit ndodhej në foltore në momentin që është hedhur dekreti në votim. I vetmi që ishte në këmbë në ato momente afer vendit ku rri Berisha ishte Gazment Bardhi.

SQARIMI I VOTES
Ndërkaq pas lajmit të Panorama Online, Jozefina Topalli ka sqaruar votimin e saj, teksa është shprehur se e ka shtypur gabimisht butonin e votimit kundër shkarkimit të Elisa Spiropalit.
Sipas saj, ky nuk ishte shprehje e vullnetit politik, por një lapsur prej kaosit në Parlament.
“Në momentin e kaosit në Parlament, kur opozitës nuk po i jepej fjala, kam shtypur gabimisht dy butonat në sistem për të marrë fjalën. Kjo ka përkuar rastësisht me momentin e votimit për shkarkimin e një ministri. Bëhet fjalë për një lapsus teknik dhe jo për shprehje të vullnetit tim politik. Sqaroj gjithashtu se në atë moment z. Berisha ishte në foltore dhe nuk ka votuar.”- ka theksuar Topalli.
© Panorama.al












