Dua Lipa ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram fotot e para nga dasma e saj me aktorin Callum Turner, duke zbuluar disa momente nga ceremonia romantike që u zhvillua në Itali.
Këngëtarja shqiptare ka publikuar një seri imazhesh nga dita e saj e veçantë, ku shfaqet krah bashkëshortit të saj.
Në fotografi, Dua Lipa shihet me fustanin e saj spektakolar të dasmës, një krijim couture i zbukuruar me pupla dhe kristale, ndërsa ka tërhequr vëmendjen edhe me vellon e gjatë dhe detajet e veçanta të look-ut të saj.
Edhe pse detajet e ceremonisë mbeten ende të pakta, sipas raportimeve ceremonia kryesore u zhvillua në Villa Valguarnera, një rezidencë e shekullit XVIII e njohur si “Versaja e vogël”.
Përveç pamjeve nga ceremonia, Dua ka ndarë edhe pak momente nga festa, duke u dhënë fansave një vështrim më të afërt të një prej dasmave më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it.
Sipas Vanity Fair, gjatë mbrëmjes performoi Elton John, duke kënduar hitin e tij “Your Song”. Të ftuarit shijuan një menu me specialitete siciliane, përfshirë “anelletti alla Norma” (makarona të pjekura), “panelle” (petulla me qiqra) dhe “crocché” (kroketa), ndërsa për ëmbëlsirë u shërbyen “cassata” dhe “cannoli”.
Mes të ftuarve VIP ishin emra të njohur si Donatella Versace, Joe Alwyn, Charli XCX, Mark Ronson, Grace Gummer dhe këngëtari i Tame Impala, Kevin Parker.
Çifti e kishte kurorëzuar më herët martesën me një ceremoni civile private në Londër, ndërsa festimet në Itali u kthyen në një event madhështor tre-ditor.
© Panorama.al




















