FOTO+EMRI- U kap nga policia e Kosovës me 1 mln euro të dyshuara nga veprimtari kriminale, pezullohet nga detyra efektivi i policisë Tiranë

Feb 25, 2026 | 13:17

Efektivi i policisë së Komisariatit nr. 5 në Tiranë, Aurel Kaziu, i arrestuar një ditë më parë në pikën kufitare të Merdares nga Policia e Kosovës, është pezulluar nga detyra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit.

aurel kaziu ok
Aurel Kaziu

28-vjeçari është larguar në drejtim të Kosovës pasi ka mbyllur shërbimin e natës dhe në vijim kishte 2 ditë pushimi, duke mos njoftuar fare eprorët e tij për daljen jashtë kufijve.

Ai prej rreth 3 vitesh ishte pjesë e policisë, ndërsa edhe më herët është marrë me transport të mallrave nga Shqipëri në vende të Evropës dhe Britani të Madhe, dhe anasjelltas, te emigrantët shqiptarë atje.

Sasia e konsiderueshme e parave që iu sekuestrua prej 1 milion eurosh, dyshohet se mund t’i përkas tjetër kujt, të ardhura nga aktivitetet kriminale, dhe Kaziu e 2 personat e tjerë po i sillnin në mënyrë të paligjshme.

Në vijim pritet kontakt me autoritetet kosovare për sqarimin e rrethanave të plota të përfshirjes së policit Kaziu.

Ndërsa Policia e Shtetit ka dhënë sot (25 shkurt) detaje për masat ndëshkimore ndaj Aurel Kaziut, efektivit të Komisariatit nr. 5 Tiranë, që u kap dje në pikën doganore të Merdares në Kosovë, duke kaluar 1 mln euro të padeklaruara.

Në njoftim thuhet se:

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit pezullon nga detyra pas nisjes së hetimeve disiplinore për: punonjësin e Policisë, Inspektor A. K., me detyrë Ndihmës-specialist për Operacionet Policore në Seksionin për Operacionet Policore në Komisariatin e Policisë Nr. 5, Tiranë, për shkelje të nenit 121, pika 2, germa “b”, “Përdorimi i statusit të punonjësit të Policisë, me qëllim krijimin e përfitimeve për vete ose për të tjerët”, dhe germa “dh”, “Raste të tjera të sjelljes që diskreditojnë imazhin dhe dëmtojnë besimin e publikut te Policia e Shtetit, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”, të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit.

Më datë 24.02.2026, shtetasi A. K. dhe dy shtetas të tjerë janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare dhe doganore të Kosovës, në fshatin Merdarë, duke transportuar 1 milion euro të padeklaruara tek autoritetet doganore, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda një furgoni”.

© Panorama.al

Te lidhura