Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një biznes në ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik në Elbasan, duke shkaktuar një situatë alarmante dhe një ndotje të konsiderueshme në të gjithë zonën.
Flakët e fuqishme janë përhapur me shpejtësi, ndërsa nga vendi i ngjarjes ngrihen shtëllunga të dendura tymi, të dukshme edhe nga distanca të largëta.
Mësohet se zjarri ka përfshirë magazinën e fabrikës “Optimal”. Flakët kanë shpërthyer në ambientet e magazinës së kompanisë, e cila merret me prodhimin e letrave të lagura dhe produkteve të ndryshme higjienike.
Fabrika administrohet nga investitorë turq, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur disa mjete të Shërbimit Zjarrfikës, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë rrethuar zonën dhe po koordinojnë veprimet për menaxhimin e situatës.
Intensiteti i zjarrit ka krijuar një panoramë shqetësuese, me flakë gjigante që kanë përfshirë objektin dhe me ndotje të rëndë të ajrit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur të gjitha automjetet dhe efektivët e Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, të cilët janë angazhuar në operacionin për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me synim parandalimin e përhapjes së tyre në objektet përreth.
Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar apo për shkaqet që kanë çuar në rënien e zjarrit.
Autoritetet po punojnë në kushte të vështira për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa pritet një vlerësim i dëmeve materiale sapo flakët të neutralizohen plotësisht.
Ndërkohë, banorëve dhe qytetarëve që ndodhen pranë zonës u rekomandohet të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe ekspozimin ndaj tymit të dendur, deri në normalizimin e situatës.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar. Policia ka nisur verifikimet dhe pritet që pas shuarjes së plotë të flakëve të kryhet edhe ekspertiza për përcaktimin e origjinës së zjarrit.
© Panorama.al



















