Zjarr pranë Inceneratorit të Elbasanit, re të dendura tymi mbulojnë zonën ndotja e ajrit tepër alarmante
Rreth orës 12:50 të mesditës së sotme, një vatër e madhe zjarri ka përfshirë masivin me shkurre, ferra dhe bimësi të egër përgjatë zonës së lumit Shkumbin, pranë fushës së grumbullimit të mbetjeve në afërsi të Inceneratorit të Elbasanit.
Flakët janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke krijuar shtëllunga të mëdha tymi që janë bërë të dukshme nga distanca të largëta.
Si pasojë e djegies së bimësisë dhe mbetjeve të ndryshme në zonë, në atmosferë janë çliruar re të dendura tymi, të cilat kanë mbuluar një pjesë të konsiderueshme të territorit përreth.
Banorët e zonës raportojnë se tymi është përhapur në disa lagje të qytetit, duke sjellë shqetësime për cilësinë e ajrit dhe ndikimin në shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme respiratore.
Përveç ndotjes vizuale të krijuar nga tymi i dendur, në ajër është përhapur edhe një erë e rëndë dhe mbytëse, e cila sipas qytetarëve ndjehet në një pjesë të madhe të qytetit të Elbasanit. Situata ka rikthyer shqetësimet e vazhdueshme mbi ndotjen mjedisore në këtë zonë, e cila prej vitesh mbetet një nga pikat më problematike për sa i përket ndikimit në mjedis.
Zjarri i mesditës së sotme vjen vetëm një ditë pas një tjetër episodi të rëndë ndotjeje. Pasditen e djeshme, një zjarr masiv që përfshiu një biznes në territorin e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit krijoi për orë të tëra re të mëdha tymi, duke ndotur ndjeshëm ajrin në periferi të qytetit dhe duke shkaktuar alarm te banorët.
Dy ngjarje të tilla në harkun e më pak se 24 orëve kanë shtuar shqetësimin për gjendjen e mjedisit dhe nivelin e ndotjes atmosferike në qytetin e Elbasanit.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të shpejtë të institucioneve përgjegjëse për identifikimin e shkaqeve të zjarreve, monitorimin e cilësisë së ajrit dhe marrjen e masave për parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
Banorët e zonës së Bradasheshit dhe ata të lagjes Skënderbej të Elbasanit, shpresojnë në normalizimin sa më të shpejtë të kushteve të ajrit dhe eliminimin e rrezikut që paraqet tymi i dendur.
© Panorama.al


















