Një 32-vjeçar që qarkullonte i armatosur me një stilolaps pistoletë të mbushur gati për qitje dhe me municione, është arrestuar nga Policia e Korçës.
Aksioni është kryer brenda një lokali në Maliq, pak pasi u mor informacioni për të dyshuarin E.Xh., banues në fshatin Podgorie, se mbante armë pa leje dhe ishte kërcënim.
“Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Xh. iu gjet një send i dyshuar pistoletë me fishekë, i ngjashëm me stilolapsin, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin E. Xh., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie”, bëri me dije policia vendore.
Po hetohet edhe përfshirja e tij në krime të mundshme dhe qëllimet përse mbante një armë kaq të sofistikuar, lidhjet me kontigjentët e krimit dhe sigurimi i provave të tjera. Hetimet po kryhen bashkë me prokurorinë.
Njoftimi i Policisë Korçë:
“Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, strukturat e DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, organizuan punën dhe lokalizuan shtetasin e dyshuar, në një lokal në fshatin Podgorie, Maliq.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit E. Xh. iu gjet një send i dyshuar pistoletë me fishekë, i ngjashëm me stilolapsin, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasin E. Xh., 32 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”.
© Panorama.al













