Një 42-vjeçar është plagosur pas një konflikti të ndodhur sot në Velipojë të Shkodrës, ndërsa u parandalua përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës kriminale.
Ngjarja ndodhi në fshatin Gomsiqe, për motive të dobëta, kurse autori 47-vjeçar u arrestua teksa mbante pa leje edhe një armë zjarri pistoletë. 42-vjeçari i dëmtuar nga sulmi po merr mjekim në spital.
“Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap dhe u arrestua shtetasi N. S., 47 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. S. është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me shtetasin F. K., në fshatin Gomsiqe. Si pasojë e konfliktit është dëmtuar shtetasi F. K., i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër”, bëhet me dije në njoftimin zyrtar të policisë.
Pas kontrollit në banesën e N. S., u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë që ai e posedonte pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
© Panorama.al














