Festat kanë mbaruar, por duket se dhuratat ende jo. Dhe kur bëhet fjalë për dhurata, duhet thënë se kushdo gëzohet, qofshin edhe politikanë.

Kjo foto është shkrepur pak kohë më parë dhe në të shfaqet pikërisht deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, teksa mban në dorë një shportë me dhurata festive.
Deputetja e qarkut të Vlorës, ka qenë duke dalë nga ambientet e Kuvendit, ku në dorë nuk mungonte as pakoja e madhe. Ina, njihet si një ndër politikanet që ka shumë miq dhe kolegë, përgjithësisht në radhët e Partisë Demokratike, por nuk mungojnë miqësitë edhe me kolegë nga Partia Socialiste.
Në oborrin e Parlamentit e kemi parë që di sesi të ruajë respektin edhe kolegët kundërshtarë, ku përshëndetjet nuk kanë munguar.
E njëjtë është tabloja edhe në Kuvend, ku deputetja merr pjesë në komisionet e ndryshme. Veç diskursit politik, që shpesh herë është i ashpër, ajo gëzon respekt për disa eksponentë nga selia rozë. Por kur merr fund detyra si deputete dhe ajo del në ambientet e jashtme, në këtë fillim viti, dhuratat ia kanë zbukuruar disi ditën.
Nuk e dimë ende nëse kjo është një dhuratë e bërë nga institucioni, apo nga ndonjë kolegë, por ajo që dimë me siguri është që shporta i ka dhënë gëzim Zhupës.
E tashmë që festat kanë përfunduar dhe Parlamenti bëhet gati të nisë një tjetër sesion, jemi të sigurt që pamje të tilla nuk do të ndeshim më në ambientet e këtij institucioni. Dhe si një vit zgjedhor që sapo ka nisur, deputetët do të ‘mprehin’ sërish gjuhën për akuza të forta ndaj njëritjetrit, ndaj edhe kjo dhuratë, mund të quhet e fundit për Zhupën, të paktën nën temën e festave të fundiviti.












