Aktivisti Ardesian Binjakaj ka prezantuar gjatë protestës një simbolikë të veçantë, një kurorë me mbishkrimin “Mbret pa popull”, duke thënë se ky është mesazhi që protestuesit i drejtojnë kryeministrit Edi Rama pas 52 ditësh tubime.
Sipas tij, kurora simbolizon humbjen e mbështetjes së qytetarëve ndaj kryeministrit, ndërsa akuzoi mazhorancën se nuk pranon kritika dhe gabime.
““Mbret pa popull”, kjo është kurora që kemi përgatitur për Edi Ramën. E kam qëndisur me mesazhin e thjeshtë që tashmë ai e ka humbur mbështetjen që ka pasur nga ata 800 mijë votues që ai thotë, dhe ne po e dekorojmë me humbjen e mbështetjes.
Ai ka vetëdeklaruar veten mbret, thotë që çdo gjë e bën saktë. Çdo gjë që bën pushteti aktual, ata nuk pranojnë dot as edhe një faj, as edhe një gabim”, tha ai.
Aktivisti kritikoi edhe reagimet e përfaqësuesve të qeverisë ndaj protestës, duke u ndalur te deklaratat e ministrit Blendi Gonxhja, i cili i ka cilësuar protestuesit si “budallenj”.
“Blendi Gonxhe sot na ka quajtur budallenj, pra sipas tyre ata janë të mençurit dhe ne, populli, jemi budallenj”, tha ai, ndërsa shtoi se Gonxhja, sipas tij, “është një ministër i dështuar politikisht, në karrierë, në çfarëdo lloj gjëje”.
Aktivisti Ardesian Binjakaj: “Mbret pa popull”, kjo është kurora që kemi përgatitur për Edi Ramën. E kam qëndisur me mesazhin e thjeshtë që tashmë ai e ka humbur mbështetjen që ka pasur nga ata 800 mijë votues që ai thotë, dhe ne po e dekorojmë me humbjen e mbështetjes. Ai ka vetëdeklaruar veten mbret, thotë që çdo gjë e bën saktë. Çdo gjë që bën pushteti aktual, ata nuk pranojnë dot as edhe një faj, as edhe një gabim, as edhe një kritikë. Në sytë e tyre, ata, Partia Socialiste, janë komplet të bindur që ajo që po bëjnë është e saktë. Nuk ka vend për ta për mendime të kundërta.
Blendi Gonxhe sot na ka quajtur budallenj, pra sipas tyre ata janë të mençurit dhe ne, populli, jemi budallenj. Ne e kemi kuptuar se axhenda e tyre është për të manipuluar fondet e shtetit. Sot Blendi Gonxhe ka deklaruar se protesta e paska shuar koncertin, e paska bërë problematik shitjen e biletave, një koncert i dështuar nga një ministër i dështuar politikisht, në karrierë, në çfarëdo lloj gjëje që do të gjejë. Patjetër që do të na ofendojë neve, se pasiguritë e tij do t’i shfryjë diku.
Kryeministri të mos na bëjë të paditurin. Ne kemi 52 ditë që po dalim në shesh dhe po ia tregojmë se pse po dalim. Nuk kemi dalë vetëm për zonat e mbrojtura, kemi dalë për korrupsionin, kemi dalë për këtë klasë të kalbur politike prej 36 vitesh. Kemi dalë për gënjeshtrat, mashtrimet, abuzimet e të gjitha llojeve.
Kështu që të mos na bëjë si i indinjuar dhe i paditur. Ai e di shumë mirë, sepse e ndjek me shumë vëmendje se çfarë ndodh në protestë. Kështu që është e kotë. Si një mijë tentativat që ka pasur në fillim, donte të ulej me popullin, thoshte: “Sillni 20 veta të diskutojmë”. Pastaj tha: “Po të isha në vendin tuaj….”. Na quajti agjentë të çfarëdo lloj shteti. Sot jemi sorra dhe korba, dështakë zemërakë. E kanë humbur legjitimitetin, janë të trembur, janë duke u përpjekur që të gjejnë diçka, qoftë edhe të kapen pas diçkaje. Por nuk po funksionon kjo metodë.
© Panorama.al











