Forumi i Sigurisë, Mediu: U kërkua anëtarësimi i Kosovës në NATO! SHBA-të, partnerë dhe mbështetës të Aleancës

Feb 6, 2026 | 16:13

Në Shtetet e bashkuara është mbajtur edhe Forumi i Sigurisë, përveç Mëngjesit të Lutjeve, ku të pranishëm ishin edhe një delegacion zyrtar nga Shqipëria, përfshi edhe një grup deputetësh përfaqësues të opozitës.

fatmir mediu shba kongresi

Në delegacionin e opozitës bënte pjesë edhe deputeti Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane, i cili tregoi për diskutimet në tryezat e mbajtura me dyer të mbyllura dhe të hapura, pikat më të nxehta të diskutuara dhe se si qëndron çështja e ‘ftohjes’ mes SHBA dhe NATO-s.

Mediu tha se vëmendja është kthyer tek buxheti 5% për NATO-n, që të zbatohet nga të gjitha vendet anëtare dhe kjo ka qenë pika e vetme ku SHBA-të kanë këmbëngulur, pasi mbështetja dhe partneriteti me Aleancën sipas tij, nuk ka ndryshuar.

Gjithashtu ai foli për kërkesën e hapur që bënë përfaqësuesit e SHBA-ve për Aleancën, që Kosova të anëtarësohet në NATO.

“U zhvillua Forumi i Sigurisë dhe mesazhet ishin pozitive. Një Forum që mbahet që nga viti 2015. Pika e parë ishte siguria dhe funksionimi i NATO-s. Ka pasur qëndrim të përbashkët që nga Kongresi, Parlamenti Evropian dhe ana jonë. Bëhet fjalë për buxhetin e ushtrisë, 5%. Ku 3,5% janë për mbrojtjen dhe 1,5% janë për infrastrukturën. Investimet për mbrojtjen janë domosdoshmëri për kërcënimet, për koordinim të përbashkët, mbrojtje dhe reagim”, shpjegoi deputeti i opozitës për “Neës 24”, gjatë lidhjes live me gazetaren Ola Bruko.

fatmir mediu shba

Ai dha edhe lajmin e mirë, ku zyrtarët amerikanë pjesëmarrës në takim, këmbëngulën edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“U kërkua nga përfaqësues të SHBA edhe njohja e Kosovës nga të gjitha shtetet dhe anëtarësimi i saj në NATO dhe ky ishte një zhvillim pozitiv. Forumi për çështjet e sigurisë ka nisur prej vitit 2015. Pjesëmarrje jashtëzakonisht e mirë në forum”, tha mes të tjerash kryetari i Partisë Republikane.

Dhe më tej shtoi:

“Kisha një takim të mbyllur me folësit kryesor dhe kongresmenët. Kongresi Amerikan në mënyrë të qartë është në mbështetje të aleancës ë NATO-s me një angazhim me SHBA dhe këtë e shohin si gjënë më të rëndësishme për sigurinë e BE apo SHBA por edhe sigurisë globale”.

Në lidhje me raportet e fundit mes SHBA-ve, referuar deklaratave të presidentit Trump gjatë mandatit të dytë dhe NATO-s, Mediu tha se nuk ka ndasi mes palëve dhe as përplasje.

“Dua të them se SHBA është në aleancë të plotë dhe mbështetje të NATO-s. Pra nuk ka asnjë pikëpyetje mbi ekzistencën e NATO-s dhe partneritetin me të. Kongresi amerikan është në mbështetje të NATO-s”, ritheksoi deputeti.

Mediu nënvizoi se investimi për mbrojtjen nuk është vetëm çështje parash.

“Investimi për mbrojtjes nuk është vetëm çështje prokurimi. Pika e parë është domosdoshmëria e funksionimit të NATO-s në partneritet. Investimi për mbrojtjen është domosdoshmëri në situatën gjeopolitike dhe kërcënimet e sotme”, tha ai.

© Panorama.al

Te lidhura