Flamurtari, Odise Roshi: Superiorja, si xhungël, por “luani” jemi ne

Apr 12, 2011 | 11:00

Odise Roshi ka komentuar Superioren duke thumbuar më së shumti rivalët për titull, Skënderbeun. “Ky sezon është shndërruar njësoj si një xhungël për Flamurtarin, në të cilën vetëm një luan mund t’u mbijetojë rreziqeve e kurtheve të ngritura nga gjahtarët, që në këtë rast janë rivalët tanë. Por, po ia prishe qetësinë luanit, ai nuk të ha, por të shqyen. Në të njëjtën mënyrë do të veprojmë edhe ne me ata kundërshtarë që do t’na ndërhyjnë në realizimin e objektivit tonë”, – ka theksuar mesfushori. 20-vjeçari është ndalur edhe te ndeshja e fundit me Kastriotin, ku, sipas tij, ekipi zhvilloi një lojë të mirë, paçka se nuk shkëlqeu. “Fitorja na ka kthyer qetësinë në skuadër, pas një jave problemesh. Për këtë fakt ndeshja ndaj krutanëve kishte më tepër rëndësi si për fitoren, edhe për anën psikologjike të futbollistëve. Flamurtari kreu volum loje, edhe pse shënuam vetëm një gol. Rëndësi ka që loja jonë ishte në sintoni të plotë me klimën e asaj sfide. Për arsye se ne e dinim që kundërshtari do të na e bënte të vështirë arritjen e fitores”, – ka vijuar Roshi.

© Panorama.al

Te lidhura