Ish-deputeti socialist Arben Isaraj ka komentuar dokumentin “Besa” të prezantuar nga kryeministri Edi Rama dy ditë më parë gjatë takimit me grupin e PS dhe Qeverinë.
Ai ‘thumbon’ kreun e ekzekutivit duke i kujtuar se besa dhe besimi janë si qelqi dhe gënjeshtrat i thyejnë me pasoja të parikuperueshme.
“Thënia popullore me natyrë ndërkombëtare: “Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin” përmbledh një nga të vërtetat më të rëndësishme të etikës njerëzore (Aristoteli, Publilius Syrus, Konfuci, Kanti, Kanuni i Lekë Dukagjinit)”, shkruan ai me një postim në rrjetin social.
Isaraj argumenton se një shoqëri e qytetaruar ndërtohet mbi vlera morali të pazëvendësueshme, edhe pse të padukshme.
“Institucionet, ekonomia, drejtësia, familja dhe marrëdhëniet ndërpersonale funksionojnë vetëm atëherë kur individët besojnë te fjala, ndershmëria dhe integriteti i njëri-tjetrit. Në kulturën shqiptare ky besim mishërohet në një nocion të veçantë etik – besën, e cila përfaqëson jo vetëm mbajtjen e fjalës së dhënë, por edhe përgjegjësinë morale për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm”, shprehet ish-deputeti.
Më tej ai i kujton kryeministrit se gënjeshtrat sjellin vetëm përfitime të përkohshme.
Postimi i plotë i Arben Isarajt:
“Çdo shoqëri e qytetëruar ndërtohet mbi një kapital moral të padukshëm, por të pazëvendësueshëm: besimin.
Institucionet, ekonomia, drejtësia, familja dhe marrëdhëniet ndërpersonale funksionojnë vetëm atëherë kur individët besojnë te fjala, ndershmëria dhe integriteti i njëri-tjetrit.
Në kulturën shqiptare ky besim mishërohet në një nocion të veçantë etik – besën, e cila përfaqëson jo vetëm mbajtjen e fjalës së dhënë, por edhe përgjegjësinë morale për të qenë i vërtetë dhe i besueshëm.
Thënia popullore me natyrë ndërkombëtare: “Besa dhe besimi janë si qelqi: një gënjeshtër i thyen, por nuk i kthen më si ishin” përmbledh një nga të vërtetat më të rëndësishme të etikës njerëzore (Aristoteli, Publilius Syrus, Konfuci, Kanti, Kanuni i Lekë Dukagjinit).
Besimi nuk fitohet me fjalë, por me karakter; nuk ndërtohet brenda një dite, por përmes një historie të gjatë ndershmërie dhe përgjegjësie.
Ndërsa gënjeshtra mund të sjellë një përfitim të përkohshëm, ajo lë plagë të thella në marrëdhëniet njerëzore dhe cenon integritetin moral të individit.
Në një botë ku komunikimi është i menjëhershëm dhe informacioni qarkullon me shpejtësi, ruajtja e besës dhe e besimit mbetet një detyrë etike me rëndësi të veçantë.
Vetëm mbi themelin e së vërtetës, ndershmërisë dhe përgjegjësisë mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme, institucione të besueshme dhe një shoqëri e drejtë.
Si qelqi i pastër, besimi duhet të ruhet me kujdes, sepse një çarje e vogël mund të mos zhduket kurrë plotësisht”.
© Panorama.al












