Një lokal ku ushtrohej aktivitet i paligjshëm i lojërave të fatit është zbuluar në Divjakë, ndërsa Policia prangosi dy nga personat e dyshuar si organizatorë.
Burime zyrtare bënë me dije se në kuadër të aksionit të koduar “Game Over” (Loja mbaroi), u ndaluan Altin Çoku, pronar i lokalit dhe Edmir Çela, kamerieri.
“Zbulohet në një lokal një ambient i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve. Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një kamarier, i punësuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë”, tha policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”.
Njoftimi i Policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Game Over”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Zbulohet në një lokal një ambient i përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit nëpërmjet kompjuterëve.
Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një kamarier, i punësuar në mënyrë të paligjshme.
Sekuestrohen 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit. Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Ç., 52 vjeç, pasi në lokalin në pronësi të tij, në fshatin Karavasta e Re, Divjakë, dyshohet se organizoheshin lojëra fati nëpërmjet kompjuterëve dhe aparateve celularë.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E. Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.
Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se shtetasi E. Ç. ishte i punësuar në mënyrë të paligjshme, pa qenë i regjistruar pranë organeve kompetente.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 njësi kompjuterike, 1 DVR, 1 laptop dhe 5 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme”.
© Panorama.al














