Policia e Pogradecit po vijon hetimet aktive për ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Gurras, ku humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës elektricisti i Bashkisë, Agim Beqiri.
Ai ishte duke riparuar një defekt në linjë kur ra në kontakt me rrymën elektrike në një nga linjat e tensionit.
“Rreth orës 10:30, në fshatin Gurras, gjatë riparimit të një defekti elektrik në një shtyllë të rrjetit elektrik, shtetasi A. B., 57 vjeç, me profesion elektricist, dyshohet se ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe, si pasojë, ka humbur jetën”, bëri me dije policia vendore.
Burime zyrtare sqaruan se hetimet po bëhen bashkë me Prokurorinë vendore.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës”, thuhet në njoftim.
© Panorama.al













