Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi sot me anë të një postimi ironik kryeministrin Edi Rama, duke marrë shkas nga diskutimet e fundit për Paketën e Maleve dhe premtimet e kreut të ekzekutivit.
Ai e cilësoi mashtrim dhe propagandë atë që tha Rama, duke nënvizuar se “kryeministrin as Diella nuk e beson më”.
“As Diella e vet nuk e beson më Edi Ramën. Me një klikim në e-Albania, ministrja e tij virtuale i rrëzon kryeministrit mashtrimin se shtetasit e huaj nuk mund të bëhen pjesë e Paketës së Maleve. Platforma zyrtare e ofron qartë mundësinë për të aplikuar si “shtetas i huaj”, shkruan ai mes të tjerash.
Bardhi pretendon se platforma e-Albania kundërshton deklaratat e Ramës se shtetasit e huaj nuk mund të përfshihen në këtë paketë.
Sipas tij, një aplikim në e-Albania tregon se ekziston mundësia për të aplikuar edhe si “shtetas i huaj”, duke rrëzuar, sipas tij, pretendimin e kryeministrit.
Bardhi ka publikuar gjithashtu një video ku përfshin edhe një dialog me ChatGPT, duke akuzuar Ramën se po e përdor inteligjencën artificiale si mjet propagande për të mbështetur ligjin.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“As Diella e vet nuk e beson më Edi Ramën.
Me një klikim në e-Albania, ministrja e tij virtuale i rrëzon kryeministrit mashtrimin se shtetasit e huaj nuk mund të bëhen pjesë e Paketës së Maleve. Platforma zyrtare e ofron qartë mundësinë për të aplikuar si “shtetas i huaj”.
Në video është edhe një dialog me ChatGPT, të cilin Rama përpiqet ta përdorë si mjet mashtrimi dhe propagande për ligjin e tij klientelist.
As Diella, as ChatGPT nuk e mbështesin mashtrimin e tij. Besoj, as Claude, të cilin Rama e përdor çdo ditë. Mjafton t’i pyesësh pa ua diktuar përgjigjen ose të bësh vetëm një klikim në e-Albania dhe propaganda e tij bajate bëhet leckë. Kur edhe Diella të përgënjeshtron, nuk ka më inteligjencë artificiale që e shpëton nga refreni, i cili e ndjek kudo: “Rama, jep dorëheqjen!”.
© Panorama.al












