Drejtuesit e Flamurtarit kanë nisur të përgatiten për ndeshjen e së dielës ndaj Kastriotit. Kuqezinjtë rikthehen të luajnë në stadiumin e tyre ndeshjet e kampionatit, pas faljes së dënimit nga Komisioni i Apelit. Për këtë qëllim krerët e klubit kanë planifikuar të marrin një sërë masash të rrepta sigurie, duke filluar që nga kamerat për kontrollimin e shitjeve të biletave, por edhe për sigurinë e qetësisë brenda stadiumit. Po kështu, paraditen e djeshme u zhvillua një mbledhje me të gjithë punonjësit e stadiumit, Policinë Bashkiake si dhe Policinë e Shtetit, që të mundësojnë parandalimin e çdo incidenti gjatë ndeshjes. Krerët e klubit kërkojnë me çdo mënyrë që të shmangin çdo lloj incidenti brenda mureve të stadiumit, që të mos marrin një dënim të dytë nga ana e komisioneve të federatës, sikundër ndodhi në ndeshjen e fundit të sezonit të shkuar ndaj Skënderbeut. Sipas informacioneve, masat priten të jenë edhe më të ashpra ndaj tifozëve, në mënyre që të mos lejohet hyrja e personave që mund të shkaktojnë trazira. Stadiumi mund të konsiderohet si një bankë e vërtetë, kjo për shkak të numrit të madh të kamerave të instaluara. Sezonin e kaluar kjo metodë u provua në monitorimin e shitjeve të biletave, ndërsa këtë kampionat klubi ka menduar ta shtojë numrin e kamerave në të gjitha pikat kyçe të stadiumit.











