Inatin e humbjes së Flamurtarit duket se tifozët e kanë shfryrë ndaj ish-futbollistit të tyre të preferuar të një sezon më parë, Daniel Xhafajt. Ky i fundit ishte protagonist i 11-metërshit të fituar nga Skënderbeu dhe që u shndërrua në gol nga kapiteni Shkëmbi. Ky episod ka bërë që tifozëria vlonjate të shpërthejë në kritika ndaj lojtarit në faqen zyrtare në “Facebook”, duke e bërë atë dhe gjyqtarin kryesor të ndeshjes përgjegjës për humbjen e skuadrës së tyre. Gjithashtu, tifozët kanë dënuar edhe gjestet e bëra nga futbollisti në drejtim të Edmond Lutajt dhe drejtorit teknik, Përparim Lushaj. Megjithatë, duhet thënë se në këtë vorbull diskutimesh ka pasur edhe tifozë, të cilët e kanë mbrojtur sulmuesin, duke e cilësuar si profesionist në punën e tij.











