
Tani është koha të kthehet në vendin e vet. Pasi është nderuar me trofe, është shfaqur në festivale të rëndësishme filmi, e të tjera i presin para. “Falja e gjakut” pritet të kthehet në vendin e origjinës.Në datën 17 shtator filmi me regji të Joshua Marston dhe skenar të Andamion Muratajt e të Joshua Marston, do të ketë premierën në Tiranë. Mund të quhet një premierë botërore, të cilën organizatorët kanë vendosur ta zhvillojnë ashtu siç duhet, ndonëse filmi nuk ka njohur asnjë mbështetje lokale. Tashmë gjithçka është gati. Ka filluar të qarkullojë edhe trajleri i filmit. Mjaftojnë pak sekonda për të kuptuar se filmi që në muajin shkurt fitoi “Ariun e Argjendtë” në Festivalin e Berlinit për skenarin më të mirë, ngërthen kontradiktat e mëdha të një vendi të vogël, më së shumti të një brezi të ri që nuk do të marrë me vete haraçet e së shkuarës. Nga njëra anë është drita dhe gazmendi që përcjell mosha. Një rini e shpenguar, që mban në duar celularët e modës më të fundit, që dëgjon muzikë, shkon në plazh… Dhe, nga ana tjetër, detyrimi për t’iu bindur Kanunit, një ligj me të cilin nuk ka dhe as që do të ketë të bëjë. Nga njëra anë bindja, që buron nga respekti për prindin dhe nga ana tjetër dëshira për të mos u bindur dhe për të mos paguar çmimin që duhet të paguante dikush tjetër. Si regjisori, ashtu edhe skenaristi kanë dashur të ndalen pikërisht në këtë përplasje. Nga aq sa të jep të kuptosh një trajner, nuk ka qenë mania si në filma të tjerë, për të dhënë një Shqipëri të varfër, të harruar nga bota, ku një i ri nuk e di se çfarë është

interneti e nuk merr vesh fare nga dynjaja. Përkundrazi, Niku 17-vjeçar, Rudina, Bardha… personazhet e filmit janë të gjithë të rinj, të ngjashëm me bashkëmoshatarët kudo në botë. Por me ndryshimin e madh që duhet të mbajnë mbi shpatulla një peshë për të cilën nuk janë përgatitur. Pasi ka marrë vlerësime pozitive nga publiku i huaj, tanimë pritet reagimi i publikut shqiptar. Filmi është parashikuar të shfaqet edhe në Shkodër, si vendi ku është xhiruar. Madje, skenaristi Andamion Murataj ua ka kushtuar këtë film pikërisht shkodranëve, që i hapën dyert dhe treguan për ta historitë e tyre personale. Ndërkaq, filmi do të shfaqet në të njëjtën kohë edhe në Toronto International Film Festival, ku merr pjesë përkrah emrave më të mëdhenj të kinemasë botërore.
Drejt çmimit “Oscar”
Qysh pas trofeut në Berlin, realizuesit e filmit i kishin të gjitha të drejtat për të pretenduar edhe më shumë. Prej shfaqjes së parë ka marrë pjesë në shumë festivale të tjera filmi dhe po shpërndahet nga distributorë të fuqishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada etj. Tani lëvizja e radhës është drejt çmimit “Oscar”, shijen e të cilit Joshua Marston e ka njohur me filmin “Maria full of grace”. Sipas skenaristit Murataj, sipas kritereve të vendosura nga Academy Awards për këtë vit, për konkurrentët në kategorinë e filmit të huaj, të dhënat janë mjaft të mira për “Forgiveness of blood”. I gjithë filmi zhvillohet në gjuhën shqipe, mbi një skenar shqiptar, me aktorë shqiptarë… Ndërkaq, edhe shfaqja e filmit në Tiranë është në përmbushje të kritereve të vendosura nga Academy Awards, që filmi më parë duhet të jetë shfaqur në vendin e origjinës. Por, përpara se të llogarisë pikët për “Oscar”, filmi duhet të kalojë në “sitën” e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare, e cila duhet të vendosë mes të gjitha kandidaturave të mundshme. Nuk duhet harruar që gjatë këtij viti janë shfaqur disa filma të rinj, duke përfshirë “Mayan” me regji të Pluton Vasit, “Ballkan Bazar” i Edmond Budinës dhe “Amnistia” e Bujar Alimanit, që gjithashtu ka marrë trofe në disa festivale. Dhe, nuk do të kishte asnjë çudi nëse bordi i QKK-së të mos mbështeste “Faljen e gjakut”, por një tjetër film nga ata që përmendëm më sipër.
Filmi
Titulli:
“Forgiveness of Blood”
Regjia:
Joshua Marston
Skenari:
Andamion Murataj, Joshua Marston
Interpretojnë:
Tristan Halilaj, Sindi Laçej, Refet Abazi, Ilire Vinca Çelaj, Çun Lajçi
Kohëzgjatja:
108 minuta
ALMA MILE
© Panorama.al











