
Në fund, ndien një zbrazëti në gjoks. Të mbeten në mendje sytë e saj të hapur, të palëvizur dhe flokët mbi një pellg uji. Regjisori mund t’ia kishte kursyer vrasjen…Vetë kthimi në qytetin e saj, në përditshmërinë e lodhshme, ritualin e përçdonatshëm të seksit mekanik ishte një lloj vrasjeje, madje vetëvrasjeje. Por me gjithë dëshirën për t’i shpëtuar dy personazhet kryesore, në realitetin shqiptar kjo është e pamundur. E pamundur në emër të nderit, të moralit… Sot, në kinema “Imperial” shfaqet premiera e filmit “Amnistia”, me regji të Bujar Alimanit. Një film i xhiruar, montuar e shfaqur në një kohë rekord. I pacenuar nga mungesat financiare e për të cilin regjisori na bën me dije se ka marrë edhe një kredi. Dje, filmi i mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike, “Eurimages”, etj. u shfaq për mediat dhe, pas projeksionit, regjisori dhe trupa e aktorëve iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve.
Historia
“Amnistia” e Alimanit është një histori sa e veçantë, aq edhe e njohur për shqiptarët. Një çift dashnorësh që përfundojnë të vrarë nga dora e vjehrrit të gruas, i cili do të vërë në vend nderin e familjes. Histori të tilla mbushin vazhdimisht hapësirat e kronikës së zezë në shtypin shqiptar. Por historia e Alimanit nuk është kaq e rëndomtë. Ngjizja e historisë së dashurisë është tërësisht e jashtëzakonshme. Rrethanat dhe vendi ku ajo lind është i pazakontë. Është një burg, ku Elsa, një grua e bukur nga Pogradeci, shkon për të takuar të shoqin, të dënuar me tre vjet burg. Në të njëjtin burg vuan dënimin edhe e shoqja e Shpëtimit. Ajo, për 2 vjet e gjysmë për falsifikim. Edhe më të jashtëzakonshme këtë histori e bën fakti se ata të dy takohen në datën 5 të çdo muaji. Me ligj bashkëshortët kanë mundësi të kenë takime intime çdo muaj. Dhe ata të dy e kanë këtë takim pikërisht në datën 5. Duket se neveria që secili ndien nga ai ambient i pisët, me mure të lagësht, me një lavaman të palarë, me një çezmë që pikon dhe më së shumti ai akt seksual i padëshiruar, i pandier, i bën këta dy njerëz të dëshpëruar, të afërt me njëri-tjetrin. Amnistia e shumëpritur për të gjithë është fundi për historinë e tyre.
Dialogët
Alimani, i cili është edhe skenaristi i filmit, ka vendosur ta kursejë fjalën. Personazhet nuk flasin shumë, dialogët e tyre përmblidhen vetëm në fjalë të shkëputura. Ndoshta ka qenë kjo një lloj “strategjie” për t’i shpëtuar bisedave patetike, që mund të zhvillohen mes një burri dhe një gruaje në fillimet e njohjes e që pason me një lidhje dashurore. Ata e nisin bisedën me motin, siç ndodh rëndom, interesohen për familjet, bashkëshortët. Nuk ka asnjë lloj tendence për t’i kthyer personazhet në filozofë. Ata i qëndrojnë mirë shtresës sociale së cilës i përkasin, ku papunësia, përpjekjet për mbijetesë janë çështja e ditës. Kushtet në të cilat ata jetojnë flasin shumë më shumë për ata vetë dhe përse gjërat ndodhin. Regjisori ka përdorur planet e afërta dhe është e thjeshtë të lexosh çdo ekspresion në fytyrat e personazheve. Të lexosh fytyrën e bukur dhe të lodhur të Elsës, sytë e saj të përlotur apo sytë e pajetë të Shpëtimit… Është më së shumti një lexim së brendshmi.
Personazhet
Qëkurse u mësua se Bujar Alimani po bënte një film, ai e bëri të qartë se në konceptin e tij nuk ka aktorë “të mëdhenj” apo “të vegjël”. Ai kishte zgjedhur një Luli Bitri për rolin e Elsës, që bën një jetë artistike disi të shkëputur, për shkak të vendosjes së saj në Itali. Dhe është zgjedhja e duhur. Ajo nuk lodhet, nuk tendoset, nuk kërkon të demonstrojë se di të bëjë gjëra, për të na përçuar të kundërtën. Thjeshtësisht ajo përcjell gjithë dramën e asaj gruaje të dëshiruar për t’u ndier vërtet grua, që dëshiron të krehë një herë flokët në parukeri, që mundohet më kot të pastrojë gishtat nga shenjat e qërimit të patateve… Ka zgjedhur Karafil Shenën, i cili prej vitesh jeton në Greqi, në rolin e Shpëtimit, një burri tanimë jo në lule të moshës së tij, që bën një punë të rëndomtë në një shtypshkronjë. E gjithë pamja e tij përçon idenë e një burri që jeta nuk i ka dhënë shumë, që nuk është se pret më prej saj. Shfaqja e Elsës e bën të ndihet i gjallë. Madje, në fund të filmit ai ngjan si një i marrë që shkon i vetëm drejt fundit të vet. Në rolin e Majës vjen Mirela Naksa, e cila një nga një po ndërton rolet e saj të para në kinematografi. Ajo është vajza që guxon dhe që e sheh jetën me sy optimist. Ajo është e kundërta e Elsës, ajo nuk dorëzohet. Roli i Remziut, i vjehrrit të Elsës, vjen nga aktori fierak, Todi Llupi. Roli i Remziut është ndoshta më dramatiku për të. Vetë aktori thotë se nuk ka ngurruar pak, para se ta pranonte këtë rol. Mjeshtëria e tij qëndron në faktin se ai nuk na bën që ta urrejmë këtë burrë plak, i cili vret, pasi ka toleruar një herë më parë. Një herë i “shpëton” nderin nuses, por pastaj duhet të vërë në vend nderin e tij dhe të djalit. Personazhet e tjera vijnë si plotësim i ambientit në të cilin gjallojnë personazhet.
Skenat erotike
“Amnistia” është filmi shqiptar me më shumë skena erotike që është bërë deri më sot. Ato përsëriten në mënyrë rituale në çdo vajtje të personazheve në takimet me bashkëshortët. Janë ca akte seksuale të zhveshura nga çdo lloj ngjyrimi sentimental. Të paktën për palën vizitore ishte si kryerja e çdo detyrimi tjetër. Të heshtur e sytë e mbërthyer në tavan. (E vetmja herë kur ata bëhen palë, është kur mes çiftit ka hyrë një i tretë e me shumë gjasë ata mendonin atë “tjetrin”.) Ndërkaq, regjisori është treguar i kujdesshëm që të mos i tregojë fytyrat e bashkëshortëve. Ngjan më së shumti me një përdhunim, një akt të kryer pa dëshirë dhe përsëritja e vazhdueshme e tyre të ngjall një lloj neverie. Ndërsa skenat erotike mes Shpëtimit dhe Elsës regjisori i lë më shumë të imagjinuara. Do ishte tepër që përkrah mërzisë së seksit në burg, të jepeshin ca skena pasionale… Aktorët e pranojnë se nuk ka qenë i thjeshtë realizimi i tyre. Ajo që ndihmoi në realizim ishte atmosfera e punës krijuar përreth dhe shkrirja e personazhit, të cilit i kanë rënë 100 halle mbi kokë.
Ngjyrë konjaku
Ai është ndryshe filmi me ngjyrë konjaku. Ndonëse një pjesë e ngjarjeve ndodhin buzë Liqenit të Pogradecit, nuk ka asgjë romantike në panoramën e tij. Gjithçka është e vjetër, e zymtë, e pistë. Është vetë regjisori që ta shtie në mendje se filmi ka pikërisht ngjyrën e konjakut dhe kur fillon e mbledh të gjitha pjesët, rezulton pikërisht ashtu. Që nga veshja e personazheve kryesore, që rrotullohen mes bezhës dhe kafes, tek ngjyrat e tullave të pallateve, të patateve dhe, pa dyshim vetë ngjyra e pijes alkoolike që shoqëron Shpëtimin mbrëmjeve të vetmuara para DVD-ve me filma erotikë, ndërsa në sfond dëgjohet zhurma e lavatriçes së prishur e që në fund doli se shkaku ishte një çorape e hollë grash. Është pija që i ngroh në ditët e ftohta, teksa presin të hyjnë në qeli apo të mbysin hidhësirën e një akti që kanë lënë pas shpine.
ALMA MILE











