
FIER – Autori që vrau me thikë kambistin nga Fieri do të dalë sot për masën e sigurisë në Gjykatën e këtij rrethi. Katër ditë pas krimit, 25-vjeçari Dilaver Adushaj nuk ka pranuar të deponojë para grupit të hetimit për motivin e vrasjes së kambistit Etem Spahiu. Burime të Policisë bënë të ditur se e vetmja frazë që i riu ka përsëritur disa herë gjatë marrjes në pyetje është: “Ai më bëri gjëmën”. Pas kësaj fraze të përsëritur shumë herë, i riu i arrestuar nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve për krimin e rëndë që ndodhi në mes të qytetit të Fierit. Ndërkaq, kanë nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.

Burime të Policisë bënë të ditur se ende nuk ka një pistë zyrtare, por paraprakisht, bazuar në hetimet e deritanishme, ka dyshime se krimi ka ndodhur për një sherr mes viktimës e autorit për një borxh të pashlyer. Ky i fundit pretendonte se i kishte dhënë një sasi parash borxh Spahiut, por ai nuk ia kishte kthyer ato më pas. Ditën kur viktimës iu dha lamtumira e fundit, familjarët e tij bënë apel për dënimin maksimal të 25-vjeçarit. Ata mohuan që familjari i tyre të kishte pasur konflikte të mëparshme. “Kërkojmë që autori i vrasjes të marrë dënimin maksimal. Nuk e dimë pse ndodhi ngjarja pasi Etemi nuk kishte konflikte me askënd”. Kështu u shpreh bashkëshortja e viktimës, por edhe fëmijët e tij pas ceremonisë mortore që u zhvillua në fshatin e lindjes së Spahiut, në Cakran. Ndërsa kolegët e Spahiut bënë thirrje gjithashtu për më shumë siguri, pasi sipas tyre jeta e tyre është e rrezikuar në çdo moment. Apeli i tyre u referohet edhe precedentëve të ndodhur në Fier në harkun e një viti, ku sipas tyre janë sulmuar 10 kambistë, njëri prej të cilëve, Etem Spahiu, gjeti vdekjen, ndërsa nëntë të tjerë janë plagosur. Edhe viktima Spahiu është sulmuar me thikë një muaj para se të vritej, por ai arriti t’u mbijetojë plagëve të marra në trup. Policia tha se ka dyshime se 25- vjeçari i arrestuar të jetë autori edhe i plagosjes një muaj më parë. Por kjo pritet të zbardhet gjatë hetimit të kryer. I arrestuari Adushaj do të dalë sot para togave të zeza, nga ku edhe mund të thyejë heshtjen dhe të deponojë motivin e krimit të kryer prej tij. Ditën e ngjarjes ai tentoi të largohej, por u rrethua nga policia. I gjendur në mes të rrethimit, ai kërcënoi se do të vetëvritej duke mbajtur në drejtim të fytit thikën me të cilën kreu vrasjen. Blutë arritën ta prangosnin atë pa asnjë incident. m.r











