Vangjel Ndreko, kryetari i Qarkut të Fierit i Partisë Socialiste, është rikthyer në detyrën e tij të parë të fituar me vendim të Apelit Vlorë.
Por ky fakt duket se nuk është pranuar nga Artur Shehu, i zgjedhur kryetar i Këshillit të Qarkut Fier me votat e maxhorancës edhe pse gjykata kishte pezulluar çdo procedurë deri në dhënien e vendimit të Gjykatës së Apelit Vlorë. Shehu, rreth orës 15:30, i shoqëruar dhe nga këshilltarë të djathtë, është drejtuar për në zyrën e kryetarit të Këshillit të Qarkut për të bërë prezantimin e tij. Por, në zyrën e kryetarit të Këshillit, Artur Shehu ka gjetur socialistin Vangjel Ndreko, me të cilin ka replikuar ashpër duke akuzuar njëri-tjetrin për padrejtësi. Forcat e rendit që ishin prezente nuk kanë lejuar që situata të agravohej dhe të degjeneronte në konflikt fizik. Më pas Shehu është larguar duke paralajmëruar Ndrekon që ta lironte karrigen e tij sepse do të kthehej përsëri në zyrat e Qarkut për të bërë prezantimin. Gjatë paradites së djeshme, prefekti i qarkut Fier, Bujar Hasaj, e ka cilësuar një veprim ordiner në kundërshtim me të gjitha vendimet juridike dhe ligjshmërinë zgjedhjen e socialistit Vangjel Ndreko në krye të Këshillit të Qarkut. “Ne i bëjmë thirrje Vangjel Ndrekos të mos ulet në atë karrigen e kryetarit të Këshillit të Qarkut dhe të mos guxojë ta bëjë këtë veprim sepse ne do të vazhdojmë demaskimin në rrugë ligjore. Ndreko ka shkelur me të dyja këmbët ligjin. Këshilli i Qarkut me unanimitet votash, me votimin e shumicës 56 vota, ka zgjedhur tashmë kreun e Këshillit të Qarkut dhe ai është Artur Shehu”, u shpreh prefekti Hasaj. RAMA Kryesocialisti Rama, i cili ka nisur turin e tij nga Fieri për të prezantuar kursin e ri dhe programin e PS, në një takim me simpatizantë dhe strukturat, e cilësoi arbitrar rastin e kreut të Këshillit të Qarkut Fier. “Kjo që po ndodh me qarkun e Fierit është arbitrare dhe e paligjshme. Askush nuk do të ketë një interpretim ndryshe të kësaj që ne po shohim. Nën dritën e diellit iu dha e drejta e qeverisjes kryetarit të ri të Qarkut, Vangjel Ndreko dhe këta bëjnë sjellje që nuk janë të justifikueshme as moralisht e as politikisht”, është shprehur Rama. Kreu i PS-së u ka bërë thirrje socialistëve fierakë të mbrojnë fitoren e arritur në Këshillin e Qarkut. Kryesocialisti foli dhe për programin e ri të PS. “Në këtë program parashikohet një sistem i ri taksash, dëmshpërblimi i ishtë përndjekurve, zgjidhja e çështjes së pronave, zhvillimi i turizmit, arsimit si dhe sektorëve të tjerë. Ne do të krijojmë klimë të favorshme për çdo qytetar shqiptar që ai të mos ndihet i huaj në këtë vend, ashtu sikurse është ndjerë deri tani”, mësohet të ketë thënë Rama në një takim që u zhvillua pa praninë e mediave. Rama nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve që kishin të bënin me një bashkëpunim të mundshëm me Ilir Metën apo rolin që mund të ketë në të ardhmen Fatos Nano në PS.
Majlinda Rama











