FIER – Pas zhvillimeve të bujshme në qarkun e Fierit për kreun e qarkut, dje ka ardhur një tjetër reagim nga përfaqësues të Partisë Socialiste. Ata kanë kërkuar mbështetje nga qytetarët, në pritje të zhvillimeve të sotme në këtë qark. “Në këto kushte, kur të djathtët nuk po njohin institucionin dhe vendimin që ka dhënë Gjykata, ne kërkojmë mbështetjen e qytetarëve. Të dalim çdo ditë nëpër rrugë e sheshe, në mbrojtje të së drejtës, e cila po na mohohet sikur jetojmë me ligjin e xhunglës. Ne duam që çdo institucion apo individ të na respektojë, duke sjellë argumente me ligje dhe jo me forcën e krahut”, deklaroi përfaqësuesi i PS-së, avokati Armando Çupa. Ky i fundit ka deklaruar në një dalje përpara mediave se një zhvillim i tillë, si ky që po ndodh në Fier, duhet të kishte lëvizur të gjithë organet më të larta.
“Po bëhet një masakër e së drejtës dhe askush nuk po reagon. Në këto kushte, të gjithë ata që lëvizin këto mekanizma shkatërruese të demokracisë duhet të dilnin në mbrojtje të asaj që është më e drejtë, por asgjë e tillë nuk po ndodh”, ka vijuar deklarata. Po ashtu, selia rozë në Fier ka kërkuar që të mos përdoret Policia e Shtetit për të dhunuar psikologjikisht si administratën e qarkut, ashtu edhe qytetarët mbështetës. Sot pritet të ketë një tjetër përballje, pasi nuk dihet se kush do të shkojë i pari për të zënë karrigen e kryetarit të Këshillit të Qarkut, pasi si socialisti Vangjel Ndreko dhe demokrati Artur Shehu pretendojnë të jenë kryetarë. Kjo situatë u krijua pas vendimeve të gjykatave për çështjen e kreut të qarkut Fier. Gjykata e Fierit pezulloi kreun socialist, zgjedhur në fund të shtatorit. Por, pa u zhvilluar ende gjyqi në Apel, demok-ratët, me shumicë tashmë këshilltarësh, realizuan një tjetër mbledhje, e cila shpalli fitues kandidatin Shehu. Më 17 nëntor, Gjykata e Apelit rrëzoi atë të shkallës së parë në Fier, duke i dhënë të drejtë Ndrekos të drejtonte Këshillin e Qarkut dhe njihte si të ligjshme mbledhjen me maxhorancë të majtë.











