Fier, lihet në burg 22-vjeçari, vrau tre të mitur në aksident

Jan 20, 2012 | 11:35

FIER – Gjykata e Fierit la në burg dje autorin e dyshuar të aksidentit që ndodhi mbrëmjen e së hënës, ku mbetën të vdekur tre të mitur. Fatjon Habilaj, 22-vjeç, akuzohet për veprat penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, “largim nga vendi i aksidentit”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “drejtim të mjetit pa leje qarkullimi”. I arrestuari nuk ka pranuar të deponojë para trupit gjykues për rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ndërsa avokati mbrojtës kërkoi që ndaj tij të vendoset masa e sigurisë detyrim paraqitjeje. Sipas tij, aksidenti kishte qenë i pavullnetshëm dhe se i riu ka qenë i ngarkuar emocionalisht. Prokuroria kërkoi masën e sigurisë arrest në burg pa afat, duke theksuar faktin se i dyshuari është larguar nga vendi i aksidentit, si dhe ka tentuar të fshehë provat. Pasi gjyqtarët janë njohur me pretendimet e të dyja palëve, kanë pranuar si të drejtë kërkesën e Prokurorisë. Dy fëmijë, 12 dhe 15 vjeç e një adoleshent 17-vjeçar mbetën të vdekur, pasi janë përplasur nga Fatjon Habilaj, i cili drejtonte një fuoristradë me targa AA 810 CI. Viktima e parë ishte t janë adoleshenti G. Shkrela, banues në fshatin Zhupan të rrethit Fier, i cili në momentin e ngjarjes, mendohet se po drejtonte një motoçikletë. Po ashtu, rreth 15-20 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti janë gjetur të vdekur edhe dy fëmijë me iniciale A. Kola, 15 vjeç dhe A. Malaj, 12 vjeç, banues në fshatin Drizë. m.r

© Panorama.al

Te lidhura